Gjykata e Posaçme ka shpallur vendimin për fraksionin e dosjes “Veliaj”, i cili u shqyrtua me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Biznesmeni Elman Abule është dënuar me 7 vite burg për pastrim parash, dënim që pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 4 vite e 8 muaj. Sipas SPAK, përmes kompanisë së tij “Rametal” janë qarkulluar para drejt subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën.
Ndërkohë, shoqëria “Rametal” SHPK është dënuar me 18 milionë lekë gjobë, e cila pas reduktimit zbret në 12 milionë lekë dhe duhet të paguhet brenda gjashtë muajve. Në të njëjtën çështje, gjykata ka shpallur të pafajshëm biznesmenin Fatmir Bektashi dhe shoqërinë “Kontakt” SHPK.
Për të pandehurit e tjerë, GJKKO ka dhënë këto vendime: ish-deputetja Klotilda Bushka është dënuar me 300 mijë lekë gjobë, e reduktuar në 200 mijë lekë, ndërsa Frosina Bollo është dënuar me një vit burg, që pas gjykimit të shkurtuar zbret në 8 muaj. Ky dënim është konvertuar në 16 muaj shërbim prove.
Organizata jofitimprurëse “Frobulos” është dënuar me 500 mijë lekë gjobë, e reduktuar në 333 mijë lekë. Adela Kondakciu është dënuar me 7 vite burg, që pas reduktimit zbret në 4 vite e 8 muaj. Megjithatë, gjykata ka vendosur përjashtimin e saj nga vuajtja e dënimit për shkak të statusit si bashkëpunëtore e drejtësisë.
Ndërsa Flutur Xhani është shpallur e pafajshme. Fatjon Baci është dënuar me 5 vite burg, të reduktuara në 3 vite e 4 muaj, por gjykata ka vendosur pezullimin e dënimit dhe konvertimin e tij në 5 vite shërbim prove. Ky fraksion i dosjes së SPAK ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, përfshinte tetë persona dhe tri shoqëri tregtare. Vendimi u shpall këtë të enjte, pasi seanca e një dite më parë ishte shtyrë për t’i dhënë gjykatës më shumë kohë për shqyrtimin e prapësimeve me shkrim të palëve.
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.
Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të. Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.
Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.
Marrë nga Dosja.al