Dy persona humbën jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pasi një makinë u përplas me një turmë njerëzish në qytetin lindor gjerman të Leipzigut, pasditen e së hënës, njoftuan autoritetet lokale.
Kryetari i bashkisë së Leipzigut, Burkhard Jung, tha se autori i dyshuar – i konfirmuar nga autoritetet si një shtetas gjerman 33-vjeçar – është arrestuar. Jung shtoi se ende nuk është e qartë motivi i ngjarjes.
Policia konfirmoi se një automjet goditi disa persona në zonën qendrore të rrugës Grimmaische Straße përpara se të largohej. Autoritetet thanë se 22 persona janë plagosur, tre prej tyre në gjendje të rëndë.
Michael Kretschmer, kreu i landit të Saksonisë, ku bën pjesë Leipzigu, deklaroi se i dyshuari ka vuajtur më parë nga probleme të shëndetit mendor.
“Jemi të tronditur thellësisht nga ajo që ka ndodhur. Një person ka hyrë me shpejtësi të lartë në zonën tregtare. Aktualisht po vajtojmë dy viktima, tre të plagosur rëndë dhe shumë të tjerë të lënduar,” tha Jung.
“Është e pamundur të gjesh fjalët e duhura për të përshkruar këtë akt të tmerrshëm.”
Zëdhënësja e policisë së Leipzigut, Susanne Luebcke, tha se rreth orës 17:35 (15:35 GMT) “një person drejtoi një automjet nga Augustusplatz drejt rrugës Grimmaische, duke vazhduar më tej pranë tregut”.
“Bëhet fjalë për një akt të dhunshëm. Po punojmë me supozimin se kemi të bëjmë me një autor të vetëm dhe aktualisht nuk ka indikacione për një rrezik të vazhdueshëm për sigurinë publike.”
Prokuroria e Leipzigut konfirmoi se viktimat janë një grua 63-vjeçare dhe një burrë 77-vjeçar, të dy shtetas gjermanë.
Ajo bëri të ditur se i dyshuari po hetohet për vrasje dhe tentativë vrasjeje dhe se “bazuar në informacionet aktuale” nuk ka elemente që sugjerojnë motiv fetar apo politik.
Një dëshmitare okulare, Susi, i tha Radio Leipzig se ndodhej me një shoqe në një stol në Grimmaische Straße në momentin e ngjarjes.
“Dëgjuam një zhurmë të fortë,” tha ajo, duke shtuar se drejtuesi i mjetit po lëvizte “me shumë shpejtësi”.
Susi dhe shoqja e saj u strehuan në një dyqan bizhuterish aty pranë. Kur dolën jashtë, ajo tha se pa persona të plagosur të shtrirë në tokë.
Një tjetër dëshmitar tha për të njëjtin medium se makina u ndal te disa pengesa rrugore dhe se një grua ra nga çatia e një makine. Ai shtoi se kalimtarët u përpoqën të jepnin ndihmën e parë dhe rreth 15 persona u mblodhën rreth automjetit për të ndaluar drejtuesin, duke u përpjekur ta nxirrnin nga dritarja e hapur.
Dëshmitari okular tha se drejtuesi i mjetit tentoi të arratisej përmes dritares së pasagjerit, por policia mbërriti në vendngjarje dhe i lidhi duart me pranga.
Gjermania ka përjetuar një sërë sulmesh me automjete vitet e fundit.
Në dhjetor të vitit 2024, të paktën gjashtë persona u vranë dhe më shumë se 300 u plagosën pas një sulmi në një treg Krishtlindjesh në Magdeburg.
Në shkurt të vitit të kaluar, të paktën 30 persona u plagosën kur një makinë u përplas me një turmë në Mynih, më shumë se një javë përpara zgjedhjeve federale në vend.
Marrë nga BBC