Lufta e Tretë Botërore tashmë po ndodh, tha ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko duke shprehur frikën se lufta në Ukrainë mund të përshkallëzohet.
“Kemi ushtarë të Koresë së Veriut në territorin e Ukrainës. Ne kemi drone nga Irani që godasin pikërisht para shtëpisë sime. Ne kemi raketa të Koresë së Veriut që sulmojnë infrastrukturën energjetike në Kiev dhe predha artilerie të dërguara në Rusi nga Koreja e Veriut dhe Irani”, tha Poroshenko, në një intervistë për Times of Malta.
“Ne kemi nevojë për një mekanizëm efektiv për t’i bërë sanksionet efektive dhe për të parandaluar Iranin dhe Korenë e Veriut që të dorëzojnë këto armë. Kjo do ta bënte fitoren shumë më afër dhe Rusinë shumë më të dobët”, tha Poroshenko.
“Pse Putini pati një reagim kaq nervoz? Sepse ne shkatërruam dy depo të mëdha raketash ruse, vetëm me një raketë ‘Storm Shadow’”.
Ai gjithashtu thekson se Ukraina nuk ka frikë nga Vladimir Putin.
“Presidenti rus dëshiron të trembë partnerët tanë në Perëndim, gjë që është e nevojshme që ai të arrijë qëllimet e tij. Përkundrazi, mungesa e frikës na jep mundësinë për të fituar. Putin nuk po lufton vetëm kundër Ukrainës, ai po lufton kundër Polonisë, kundër shteteve baltike dhe mendon se mund të luftojë kundër Gjermanisë, sepse mendon se Dresden, ku ai shërbeu si oficer i KGB-së, është gjithashtu një zonë e interesit rus”, shtoi Poroshenko.
Marrë nga Gazetaexpress