Dy fëmijë, të moshës 2 dhe 4 vjeç, janë gjetur të pajetë brenda një makine në jug të Francës, në një ngjarje tragjike që dyshohet të ketë lidhje me valën ekstreme të të nxehtit që ka përfshirë vendin.
Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Media franceze “La Provence” raportoi se fëmijët kishin hyrë në automjet pa dijeninë e nënës së tyre 33-vjeçare dhe mbetën të bllokuar brenda.
Nga ana tjetër, një burim policor i cituar nga “Le Parisien” deklaroi se nëna ka pretenduar se i kishte harruar fëmijët në makinë gjatë kohës që po bënte pazar.
Zjarrfikësit i gjetën të miturit në arrest kardiorespirator brenda një garazhi, por përpjekjet për t’i rikthyer në jetë rezultuan të pasuksesshme.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht shkaqet dhe rrethanat e tragjedisë.
Marrë nga AFP