Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit miratoi 73 leje në mbledhjen e muajit prill për kulla, resorte bregdetare, por edhe vepra të tjera ndërtimi.
Projekti i Darëzezës parashikon një pedonale Lungomare, një zonë sportive dhe rekreacioni, struktura akomodimi sezonale, shërbime plazhi, shërbime hotelerie, shërbime gastronomike dhe argëtimit etj.
Pjesë e projektit do të jetë lidhja me qytetet kryesore dhe përfshin krijimin e një tregu për produktet lokale, kamp veror ndërkombëtar, akademi dhe fusha tenisi, akuapark i përmasave ndërkombëtare, fusha e parë e golfit në Shqipëri, park publik si dhe hotele ndërkombëtare buzë detit.
Në listën e gjatë të projekteve bie në sy leja për një kullë 49 kate në rrugën Reshit Petrela në Tiranë nga kompania E.S.E.C. Kjo kompani është me bazë në Durrës dhe zotërohet nga Edmond Dako, vëllai i ish kryebashkiakut socialist, Vangjush Dako.
Genc Deromemaj, ish kryetari i Partisë Demokratike në Vlorë, i cili kaloi ylberin duke pranuar postin e drejtorit të Kadastrës për këtë qytet nga kryeministri Edi Rama, është shpërblyer me dy leje ndërtimi në Sarandë dhe Vlorë. Kompania N94, në pronësi të Deromemajt, ka marrë leje ndërtimi për një objekt banimi me 5 kate në Sarandë dhe një tjetër me 8 kate, hoteleri dhe banim, në Vlorë.
ISEC e dhëndrrit të Qefaliajve ka marrë leje ndërtimit për një kompleks turistik në Borsh, ndërsa Dine Fratari është rikthyer me një kompleks të madh rezidencial, shërbimesh dhe hoteleri të quajtur Riverëay City, i cili do të ndërtohet në rrugën Pjetër Bogdani në Tiranë.
Hajredin Fratari u bë i njohur publikisht kur para shumë vitesh akuzoi Edi Ramën, në atë kohë kryetar bashkie se kërkonte rryshfet 20 për qind për lejet e ndërtimit. Por më vonë ndërtuesi, vajza e të cilit kandidoi për deputete me Partinë Demokratike, i tërhoqi akuzat.
Paralelisht KKTU ka miratuar lejet e zhvillimit apo ndërtimit edhe për dhjetra projekte të tjera, kryesisht në Tiranë dhe zonat e bregdetit.
Marrë nga Kapitali.al