Në një distancë prej 300 metrash, një resort është prishur me të drejtë dhe një tjetër po ngrihet me leje qeveritare. Gjithçka ka ndodhur në zonën e shumë preferuar të Kepit të Rodonit, ku biznesmenë, politikanë dhe grupe kriminale ia kanë vënë syrin prej kohësh. Madje, me vendime tepër të diskutuara edhe nga gjykata apo Kadastra, një sipërfaqe e stërmadhe pyll shtetëror i është dhënë individëve me lidhje shumë të forta.
Qeveria i ka konsideruar aksionet e prishjeve për të ruajtur natyrën dhe peizazhin e bukur të Kepit të Rodonit. Por, jo më larg se 300 metra nga resorti i Halilit, vetë qeveria ka dhënë një supër leje për ngritjen e një tjetër resorti. Rreth 40 ndërtesa, vila dhe hotele, po ndërtohen në një zonë pyjore.
Në këtë vendim, saktësohet se subjekt zhvillues është shoqëria “MË Plan” sh.p.k, në pronësi të një pensioniste 74 vjeçare. Kohë më parë, zonja e kishte lënë profesionin e inxhinieres së ndërtimit, ndërkohë që më vonë mori edhe super lejen në Shetaj.
Banorët e zonës, të pyetur nga VoxNews, treguan se resorti në fjalë njihet si i “austriakëve”. Nuk ka të dhëna se kush qëndron pas pronares, ndërkohë që në media vazhdimisht janë lakuar emra nga bota e krimit apo edhe e politikës për influenca në të gjithë Kepin e Rodonit.
Redaksia jonë shfletoi dokumentet shoqëruese, ku rezulton se firma do të ndërtojë rreth 40 godina, vila, bare-restorante dhe hotele. Ato shtrihen në një terren të pjerrët, me pamje nga Deti Adriatik.
Ndërkohë, sipas fotove të projektit, ndërtimet do të bëhen ngjitur me një zonë pyjore, ku ka informacione se edhe ajo po tjetërsohet dhe shumë shpejt do të “mbijnë” të tjera vila.
Aksioni i IKMT-së është padyshim i vonuar. Madje është i drejtë edhe procedimi i Ardian Halilit, ish-kreut të IMT-së në Bashkinë e Durrësit, i cili duke shfrytëzuar postin ndërtoi disa godina. Ai shfrytëzoi edhe lidhjet në organet ligjzbatuese, pasi baskëshortja e tij Rebjana Halili ka qenë prokurore në Durrës.
Por, në këto radhë, redaksia e VoxNews është ndalur te paradoksi i gjithë aksionit. A mos ndoshta këto prishje i kanë hapur rrugën resorteve të reja? Në çdo vend që ka shkuar IKMT-ja, ka vendime për leje. Njëjtë si në Himarë, Dhërmi apo Palasë. Ashtu si në Radhimë apo edhe Vlorë. Mbetet për t’u parë nëse austriakët do të marrin Thethin.
Nëse një resort u shkatërrua totalisht me tritol, një tjetër po ngrihet me shpejtësi në një sipërfaqe prej 36 mijë metrash katrorë. Projekti duket gjigant, nisur edhe nga fotot e publikuara. Janë ndërtime deri në 6 kate, 4 mbitokë dhe 2 nëntokë.
Marrë nga VoxNews.al