Evgjeni Bashari shpërblehet me fonde e vende pune nga Rama për të mbuluar pasuritë e pajustifikuara të zyrtarëve të lartë dhe për të ruajtur marrëveshjen e heshtjes me Bablokun dhe Berishën.
Në vend që të penalizojë mosveprimin, qeveria ka zgjedhur ta shpërblejë këtë institucion: jo vetëm që i ka rritur buxhetin çdo vit dhe i ka trefishuar pagat drejtuesve dhe inspektorëve, por ka shtuar edhe numrin e punonjësve, përmes rekrutimeve klienteliste. Evgjeni Bashari, drejtuesja aktuale e ILDKPI-së prej afro pesë vitesh, e ka shfrytëzuar këtë për të punësuar familjarë dhe miq të saj, si dhe për të mbyllur dosjet e zyrtarëve që i garantojnë mbështetje politike.
Së fundmi, më 19 maj 2025, qeveria i akordoi ILDKPI-së një fond shtesë prej 2.2 milionë eurosh, me justifikimin për të shtuar një kat mbi godinën aktuale. Sipas burimeve të siguruara nga “Pamfleti”, ky shtesë kati lidhet me emërimin e 40 inspektorëve të rinj, të cilët do t’i shërbejnë kryesisht interesave politike, jo kontrollit real të pasurive të zyrtarëve.
Ky zgjerim artificial i administratës së ILDKPI-së ndodh në një kohë kur institucionit i mungojnë rezultatet. Gjatë procesit të vettingut në drejtësi, u provua se znj. Bashari ka falsifikuar raportet për të paktën 137 gjyqtarë e prokurorë, ndërsa për zyrtarët më të lartë të qeverisë, përfshirë ministrat, deputetët dhe zyrtarë të tjerë me pasuri të pajustifikuara, nuk ka nisur asnjë kallëzim penal dhe nuk ka aplikuar asnjë masë ndëshkuese.
Në dhjetor 2020, Evgjeni Bashari u emërua me 100 vota në parlament, si pjesë e një marrëveshjeje mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, për të garantuar mosprekjen e dosjeve pasurore të elitës së pushtetit. Sot ajo jo vetëm që po zbaton këtë marrëveshje, por është në garë për të siguruar mandatin e dytë në krye të ILDKPI-së, si shpërblim për heshtjen e saj të gjatë dhe qëllimshme.