Revista Time ka një traditë të gjatë të përzgjedhjes së “Njeriut të Vitit,” që daton prej vitit 1927. Ky çmim nderon një individ ose lëvizje që ka ndikuar ndjeshëm në ngjarjet gjatë vitit. Në vitin 2024, Time ka zgjedhur Donald Trump si “Njeriun e Vitit,” duke shënuar për të herën e dytë që e merr këtë çmim, nën motivacionin e “nxitjes së një ndryshimi politik breznor, për riformësimin e presidencës amerikane dhe transformimin e rolit të kombit në arenën globale”. Hera e parë shënohet në vitin 2016, kur arriti të fitonte zgjedhjet presidenciale në SHBA përballë demokrates Hillary Clinton.
Revista prestigjioze TIME në botimin e saj special për “Njeriun e Vitit”, ka përzgjedhur mes emrave të njohur dhe me ndikim në skenën globale edhe një shqiptar; ai është sipërmarrësi Samir Mane, themelues dhe President i Grupit BALFIN.
“Njeriu i Vitit” shkon për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump;
“CEO i Vitit” shkon për Drejtoreshën Ekzekutive të korporatës shumëkombëshe dhe teknologjike Advanced Micro Devices (AMD), Lisa Su;
“Atletja e Vitit” shkon për yllin e basketbollit, Caitlin Clark;
“Ikona e Vitit”, për legjendën e muzikës Elton John.
Ndërsa secila figurë është vlerësuar për kontributin e dhënë në sfera të ndryshme të jetës, Time e cilëson rrugëtimin e sipërmarrësit Samir Mane kështu: “Me një karrierë që nisi në fillim të viteve ’90, Mane ka ndërtuar një konglomerat global që operon në 11 vende dhe 2 kontinente, duke sjellë inovacion dhe ndikim të qëndrueshëm ekonomik.”
Pikërisht në këtë mënyrë hapet intervista ekskluzive e Manes, ku ky i fundit ndalet në të shkuarën, në sfidat e kohës dhe në vendosmërinë dhe këmbënguljen e tij për t’u identifikuar nga hera si një vizionar në botën e biznesit, duke ndërtuar dhe fuqizuar Grupin BALFIN.
Marrë nga Telegrafi.com