Disa drejtorë dhe ish-drejtorë të Autoritetit Rrugor Shqiptar janë arrestuar, hetuar, gjykuar e dënuar për abuzime të shumta me detyrën, duke i shkaktuar arkave të shtetit dëme shumë të mëdha. Me apo pa dashje, telefoni i ish-drejtorit Evis Berberi ka zbuluar prova të shumta për Prokurorinë e Posaçme, prova që vijojnë të dalin, duke implikuar një mori zyrtarësh që paracaktonin tenderat me shumë zero.
Nëse Berberi, Balluku, Gjyli e Elezi janë marrë të pandehur, një ish-drejtor po vijon të kacafytet nga njëra anë në tjetrën, duke tentuar që t’i shpëtojë “kthetrave” të drejtësisë, pavarësisht se ka një “mal” me prova që e implikojnë në shumë procedura. Bëhet fjalë për Ergys Verdhon, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhës Shqiptarë, ndërkohë më parë ka drejtuar Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe Korporatën Elektroenergjitike Shqiptare.
Verdho u katapultua nga bizneset private në majën e institucioneve me shumë lekë, madje ai është një nga njerëzit më të besuar të ish-zv.kryeministres, pasi në të gjitha emërimet që i janë bërë “bekimin” dhe urdhrin e ka dhënë Belinda Balluku. Vox News ka analizuar disa dokumente nga Qendra Kombëtare e Biznesit, tendera, akte noteriale e vendimmarrje të tjera, disa prej të cilave do të flasim në vijim, të cilat hedhin dritë se Verdho ka të njëjta veprime si Berberi.
Sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News, në momentin që mori detyrën e drejtorit të ARRSH-së, Ergys Verdho çuditërisht regjistroi në Qendrën Kombëtare të Biznesit një kompani, të quajtur “V&CE Studio”, ku Verdh kishte 50 % të aksioneve dhe 50 % i kishe Ndriçim Allkaj. Firma ka si objekt “vlerësim i pasurive të paluajtshme, projektim në fushën e ndërtimit”.
Pra, një zyrtar i lartë shtetëror i futet me “kokë” biznesit, në një kohë që ligji e përcakton qartë konfliktin e interesit. Ka dyshime se gjatë kësaj kohe, shumë kompani që Verdho u jepte tendera me shumë zero, kontraktonin fiktivisht këtë firmë, ndërkohë që hetimet e Prokurorisë së Posaçme apo të ndonjë organi tjetër ligjzbatues mund të hedhin dritë mbi këtë aferë.
Dokumentet e tjera të hulumtuara nga Vox News hedhin dritë mbi një dosje të mirëfilltë, pasi ish-drejtori i ARRSH-së dhe aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Hekurudhave, dyshohet se ka favorizuar firmën ku ishte pronar për t’u bërë presion firmave të ndërtimit.
Sipas dokumentit të mësipërm, në datën 24 nëntor 2020, Ergys Verdho i ka lënë me letra aksionet prej 50 % në firmën “V&CE Studio”, duke ia kaluar aksionerit tjetër Ndriçim Allkaj. Vlera e transaksionit është vetëm 5 mijë lekë, çka ngre dyshime të mëdha për veprime fiktive.
Marrë nga VoxNews.al