Ushtria izraelite njoftoi dje se ka kryer më shumë se 200 sulme ajrore në të gjithë Rripin e Gazës gjatë tre ditëve të fundit, duke synuar objektiva të ndryshme militante dhe duke vrarë një anëtar të rëndësishëm të lëvizjes Xhihad Islamik.
Sulmet kishin në shënjestër infrastrukturën e grupeve militante, qeliza aktive të tyre, pozicione të lëshimit të raketave dhe snajperëve, depot e armëve si dhe qendra komande.
Në qytetin Rafah, konkretisht në lagjet Shabura dhe Tel al-Sultan, forcat izraelite deklaruan se çmontuan “infrastrukturë terroriste” dhe zbuluan një depo me granata, municione dhe pajisje të tjera ushtarake.
Gjithashtu, përgjatë Korridorit Morag, një rrugë strategjike e ndërtuar së fundmi që ndan Rafahun nga Khan Younis dhe pjesa tjetër e Gazës, trupat gjetën armë, shkatërruan struktura të Hamasit dhe neutralizuan disa militantë.
Në veri të Gazës, një goditje ajrore shënjestroi një ndërtesë që, sipas ushtrisë, përmbante infrastrukturë nëntokësore, ndërkohë që u raportua zbulimi i një numri të konsiderueshëm militantësh.
Forcat izraelite raportuan gjithashtu çmontimin e disa pozicioneve të snajperëve të Hamasit, që përbënin kërcënim të drejtpërdrejtë për trupat tokësore.
Të paktën tetë persona u vranë nga sulmet izraelite të hënën, ndërsa dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.
Marrë nga Reuters