Gjykata e Tiranës, me urdhër të Prokurorisë ka konfiskuar pasuritë e ish-zyrtares së lartë të Ministrisë së Financave, Alda Klosi, e cila është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim për fshehje pasurie në 19 mars të vitit të kaluar
“Nga procedimi pasuror nr.05, 2022, rezultoi se e pandehura/subjekti i hetimit pasuror Alda Klosi, e cila është përfshirë si subjekt deklarimi në ILDKPKI që në vitin 2016, nuk ka deklaruar në këtë institucion pasurinë që nuk e justifikon atë me burime të ligjshme të të ardhurave.
Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar rezulton se pasuritë e paluajtshme të llojit apartament dhe garazh, që zotërohen nga ajo dhe nga personi i lidhur, janë pasuri të pajustifikuara nga të ardhurat e ligjshme. Këto pasuri të paluajtshme janë fshehur dhe nuk janë deklaruar në deklaratat e ILDKPI nga personi i hetuar Alda Klosi” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Pasurtitë e konfiskuara
- Shuma monetare 368 mijë Lekë të reja, 15 mijë e 600 dollarë amerikan, 462 mijë e 950 Euro, sekuestruar për llogari të procedimit penal nr. 9220/2022 dhe arkëtuar në llogarinë e Prokurorisë në 10.01.2023;
- Apartament me siperfaqe 85.09 m2 të shfrytëzueshme me numër pasurie 6/572+1-35, ZK 8210, Vol. 42,Fq 127 pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A.K.; dhe
- Garazh me sipërfaqe 14.06 m2 të shfrytëzueshme, pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A.K.
Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2022, Alda Klosi denoncoi se sanitarja Rozeta Dobi i kishte grabitur banesën e saj, por nuk tregoi për shumën e plotë të parave, por për një vlerë më të vogël dhe për vjedhje bizhuterish. Nga hetimi u zbulua se ishin vjedhur 120 mijë euro nga pastruesja, të cilat Alda Klosi më pas i justifikoi duke thënë se janë të xhaxhait të saj që jeton në Amerikë.
Në një kontroll të dytë, Policia gjeti në banesën e Rozeta Dobit dhe një shumë të konsiderueshme që besohet se është 524.800 euro, 8500 dollarë dhe 368.000 lekë të rinj si dhe aksesorë floriri, që besohet i përkasin pikërisht Klosit. Rreth 500 mijë euro u gjetën të fshehur në tubat e aspiratorit.
Pastruesja Rozeta Dobi dhe i biri këmbëngulën në deklaratat e tyre se paratë i përkisnin ish-zyrtares, e cila ia kishte lënë në ruajtje. Kjo shumë e ka bindur prokurorinë se duhet të hetonte nëse ish-zyrtarja e lartë Klosi po pastronte apo jo para të fituara nga korrupsioni.
Ish-zyrtarja u arrestua në Shkurt të vitit 2023, teksa mohoi akuzat ndaj saj. Por, Alda Klosi më 19 mars të vitit të kaluar u dënua nga Gjykata e Tiranës me 2 vjet e 6 muaj burgim për fshehje pasurie. Ajo përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe u dënua përfundimisht me 1.8 vite burg. Të njëjtin dënim e la në fuqi edhe Gjykata e Apelit më 3 Tetor të vitit të kaluar.
Marrë nga Boldnews.al