Pas vendimit të Apelit, ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, i mbeten vetëm 11 ditë burg nga dënimi me 2 vjet e 8 muaj, pasi pjesën tjetër e ka vuajtur në paraburgim dhe “arrest shtëpie”.
Dako u lirua nga qelia tetë muaj pas arrestimit, pasi u konstatua se SPAK nuk arriti të përfundonte hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve, detyra që mbetën pas shqyrtimit të kërkesës për gjykim. Ai qëndroi në masën e sigurimit “arrest shtëpie” deri në vendimin e Apelit të martën.
Sipas prokurorisë, nga përllogaritja e kryer ka rezultuar se Dako duhet të qëndrojë në qeli edhe 11 ditë, pasi pjesën tjetër e ka shlyer gjatë 9 muajve që qëndroi në paraburgim dhe periudhës tjetër në “arrest shtëpie”. Koha e paraburgimit përllogaritet si një ditë e gjysmë heqje lirie.
Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i bënë me dije BIRN pasditen e të martës se ende nuk kishte mbërritur ndonjë kërkesë zyrtare nga prokuroria lidhur me Dakon.
Dako u hetua nga SPAK për veprime në kundërshtim me kompetencat e kryetarit të bashkisë në miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë “Fakle” sh.p.k., pasi ai dhe vartësit e tij përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët ishin shpërngulur në pallatin në fjalë. Hetimi arriti në përfundimin se ishte bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh të ndërtuar pa leje, ndërkohë që ndërtimi nuk ishte bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga bashkia.
Fakti i dytë penal për të cilin prokuroria akuzon Dakon lidhet me një procedurë prokurimi për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim-zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Sipas SPAK, komisioni i ngritur me urdhër të Dakos ka kryer gabim llogaritjen e fondit limit, duke e përcaktuar me një vlerë gati dhjetë herë më të lartë se ajo që duhej të ishte në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave.
Vangjush Dako ishte kryebashkiaku më jetëgjatë i Partisë Socialiste në Durrës, i shpallur i padëshirueshëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit në korrik 2019 me motivacionin e “korrupsionit madhor”. Ai është akuzuar nga opozita dhe ka rezultuar në përgjime me elementë të krimit të organizuar, të cilët, përveç narkotrafikut, dyshohet se kanë ndikuar edhe në tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve në Durrës në vitin 2017.
Marrë nga BIRN