Nga 1 janari 2027, përdoruesit e telefonisë celulare do të përfitojnë nga rregullat e reja për vlefshmërinë e numrave, rimbushjet dhe ruajtjen e kreditit të papërdorur. Kartat SIM me parapagim nuk do të mund të çaktivizohen përfundimisht për të paktën 12 muaj nga aktivizimi, ndërsa çdo rimbushje monetare do të ketë një vlefshmëri minimale prej 180 ditësh, pavarësisht shumës. Operatorët do të detyrohen gjithashtu të ofrojnë rimbushje me vlera të ulëta dhe një alternativë me vlefshmëri të paktën njëvjeçare.
Këto janë disa nga ndryshimet më të rëndësishme të nenit 18 të rregullores së re për mbrojtjen e konsumatorëve dhe pajtimtarëve të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike, të miratuar së fundmi nga AKEP, të cilën e ka konsultuar ekofin.al.
Rregullorja vendos detyrime të reja për operatorët celularë, duke synuar kufizimin e praktikave që mund të çojnë në humbjen e numrit telefonik ose të kreditit të paguar nga abonentët, veçanërisht ata që përdorin telefonin rrallë dhe kryejnë rimbushje të vogla.
Kartat SIM, vlefshmëri minimale 12 muaj dhe 90 ditë shtesë për riaktivizim
Një ndër ndryshimet kryesore është përcaktimi i një afati minimal prej 12 muajsh për vlefshmërinë e kartave SIM dhe eSIM me parapagim, duke filluar nga aktivizimi fillestar. Gjatë kësaj periudhe, operatori nuk mund ta çaktivizojë përfundimisht numrin vetëm sepse përdoruesi nuk ka kryer rimbushje ose nuk e ka përdorur shërbimin.
Edhe kur abonenti nuk disponon kredit, numri duhet të ruajë statusin aktiv, megjithëse operatori mund të kufizojë përdorimin e shërbimeve për shkak të mungesës së kreditit.
Pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë, numri mund të kalojë në status pasiv, por çaktivizimi përfundimtar nuk mund të kryhet më herët se 90 ditë kalendarike nga kalimi në këtë status, nëse përdoruesi nuk kryen rimbushje për ta riaktivizuar.
Gjatë periudhës pasive, abonenti do të ketë mundësi të marrë thirrje dhe SMS hyrëse, të telefonojë numrat e emergjencës pa pagesë dhe të rimbushë llogarinë për të rikthyer numrin në status aktiv.
Krediti i papërdorur nuk humbet kur numri kalon në status pasiv
Një tjetër risi e rëndësishme është mbrojtja e kreditit monetar të papërdorur. Sipas rregullores, krediti i paguar nga abonenti nuk mund të konfiskohet vetëm për shkak se numri ka kaluar në status pasiv. Ai duhet të ruhet dhe t’i shtohet shumës së rimbushjes së re që përdoruesi kryen për riaktivizimin e numrit gjatë kësaj periudhe.
Rimbushjet do të kenë vlefshmëri minimale 180 ditë, pavarësisht shumës
Ndryshime të rëndësishme parashikohen edhe për afatet e rimbushjeve. Çdo rimbushje me vlerë monetare, pavarësisht shumës, duhet të ketë një vlefshmëri prej të paktën 180 ditësh kalendarike. Kjo do të thotë se vlefshmëria minimale e kreditit nuk mund të kushtëzohet nga kryerja e një rimbushjeje me vlerë të lartë.
Operatorët do të duhet gjithashtu të sigurojnë rimbushje me vlera të ulëta dhe të ofrojnë të paktën një alternativë rimbushjeje me afat vlefshmërie jo më të shkurtër se 365 ditë.
Gjithnjë në nenin 18, AKEP përcakton se, në kushtet aktuale të tregut, si vlera orientuese të arsyeshme mund të konsiderohen rimbushjet deri në 200 lekë, si dhe një alternativë me vlefshmëri të paktën njëvjeçare për një shumë jo më të lartë se 2,000 lekë, përfshirë TVSH-në.
Këto shuma jepen si vlera orientuese për interpretimin e dispozitës dhe jo si çmime fikse të detyrueshme për çdo operator.
Po ashtu, kryerja e një rimbushjeje të re nuk mund të shkurtojë afatin ekzistues të vlefshmërisë së kreditit të papërdorur. Krediti i mbetur do t’i shtohet rimbushjes së re, ndërsa afati i përdorimit nuk mund të jetë më i shkurtër se afati më i gjatë që rezulton nga rimbushjet përkatëse.
Ndërrimi i operatorit, abonentët mund të kërkojnë kthimin e kreditit të mbetur
Rregullorja përcakton edhe të drejtën e abonentit për të kërkuar rimbursimin e kreditit monetar të papërdorur kur transferon numrin celular te një operator tjetër. Kjo e drejtë vlen vetëm për kreditin e paguar nga përdoruesi dhe nuk përfshin bonuset apo përfitimet promocionale të dhëna falas. Procedurat dhe tarifa eventuale administrative rregullohen sipas dispozitave për portabilitetin e numrit.
Për përdoruesit që konsumojnë pak minuta telefonike ose internet, rregullat e reja krijojnë mundësinë e ruajtjes së numrit dhe të kreditit pa qenë të detyruar të kryejnë rimbushje të shpeshta vetëm për të shmangur skadimin e tyre.
Megjithatë, afatet e reja minimale nuk do të zbatohen në mënyrë prapavepruese. Sipas dispozitave kalimtare, ato do të vlejnë për aktivizimet dhe rimbushjet e kryera nga 1 janari 2027. Për kartat dhe kreditin e aktivizuar ose rimbushur përpara kësaj date, do të vijojnë të zbatohen afatet e përcaktuara në momentin përkatës.
Numrat e çaktivizuar nuk mund t’i jepen një abonenti tjetër për 12 muaj
Një tjetër garanci e rëndësishme lidhet me ruajtjen e numrit edhe pas çaktivizimit përfundimtar. Neni 20 përcakton se operatorët nuk mund t’ia japin numrin një përdoruesi tjetër për një periudhë prej të paktën 12 muajsh nga çaktivizimi. Brenda kësaj periudhe, ish-abonenti ka të drejtë të kërkojë riaktivizimin e numrit pranë operatorit përkatës, duke lidhur një kontratë të re.
Interneti jashtë paketës, bllokim automatik dhe kufi shpenzimesh 6,000 lekë
Rregullorja sjell ndryshime edhe në mbrojtjen e abonentëve nga faturat e papritura për internetin celular. Operatorët duhet të njoftojnë përdoruesit kur konsumi i minutave, SMS-ve ose internetit arrin në 80% dhe 100% të paketës, në rastet kur tejkalimi i saj sjell tarifim shtesë.
Kur tarifa e internetit jashtë paketës është më e lartë se 2.4 lekë për megabajt, përfshirë TVSH-në, operatori duhet të bllokojë automatikisht përdorimin e internetit përpara fillimit të tarifimit shtesë. Vazhdimi i shërbimit lejohet vetëm pasi abonenti të japë pëlqimin e shprehur.
Edhe pas këtij pëlqimi, parashikohet një kufi financiar i parazgjedhur prej jo më shumë se 6,000 lekësh me TVSH në muaj për shpenzimet shtesë të internetit. Me arritjen e kufirit, shërbimi bllokohet përsëri, derisa përdoruesi të autorizojë vijimin dhe të konfirmojë ose zgjedhë një kufi të ri. Për tarifat deri në 2.4 lekë për megabajt, bllokimi automatik nuk është i detyrueshëm, por informimi paraprak për çmimin mbetet detyrim.
Kontratat, ndalohen rritjet automatike të tarifave të lidhura me inflacionin
Një ndryshim tjetër prek kontratat dhe mënyrën e rritjes së tarifave. Rregullorja ndalon klauzolat që parashikojnë ndryshime automatike të tarifës mujore në përqindje ose sipas indekseve të ndryshueshme, përfshirë inflacionin, kur vlera e ardhshme në lekë nuk është përcaktuar në momentin e lidhjes së kontratës. Ky kufizim do të zbatohet edhe për ndryshimet e tarifave të kontratave ekzistuese që kryhen pas hyrjes në fuqi të rregullores.
Operatorët duhet të njoftojnë individualisht abonentët të paktën një muaj përpara ndryshimeve të kushteve kontraktore. Kur zbatohet e drejta për zgjidhjen e kontratës pa penalitet, abonentët duhet të informohen edhe për afatin tremujor që kanë në dispozicion për ta ushtruar atë.
Përfundimi i kontratës, njoftim 30 ditë përpara dhe informacion për oferta më të përshtatshme
Rregullorja parashikon gjithashtu që operatorët të njoftojnë abonentët të paktën 30 ditë përpara përfundimit të periudhës së angazhimit kontraktor. Në këtë njoftim duhet të bëhen të qarta tarifat që do të zbatohen më pas, mundësitë për ndryshimin e planit tarifor dhe e drejta për ndërprerjen e kontratës pa penalitet për përfundim të parakohshëm, pas mbarimit të periudhës së angazhimit.
Për më tepër, operatorët do të kenë detyrimin t’u japin abonentëve informacion dhe këshilla për planet tarifore alternative më të përshtatshme që ofrojnë. Për klientët që vazhdojnë me kontrata me afat të pacaktuar, ky informacion duhet të ofrohet të paktën një herë në vit.
Faturat e papaguara, të paktën 15 ditë afat shtesë përpara ndërprerjes së shërbimit
Një tjetër dispozitë synon të mbrojë konsumatorët nga ndërprerja e menjëhershme e shërbimit për shkak të faturave të papaguara. Përpara kufizimit ose ndërprerjes, operatori duhet t’i dërgojë abonentit një paralajmërim dhe t’i japë një afat shtesë prej të paktën 15 ditësh kalendarike nga marrja e njoftimit për të shlyer detyrimin.
Rregullat e reja hyjnë në fuqi më 1 janar 2027
Rregullorja e re hyn në fuqi më 1 janar 2027 dhe zëvendëson disa akte të mëparshme rregullatore për mbrojtjen e konsumatorit, transparencën e tarifave dhe regjistrimin e përdoruesve.
Për operatorët e telefonisë dhe internetit, ndryshimet nënkuptojnë detyrime të reja në administrimin e numrave, sistemet e rimbushjes, informacionin për tarifat dhe marrëdhëniet kontraktore. Për konsumatorët, efekti më i drejtpërdrejtë pritet të jetë mbrojtja më e madhe e kreditit të paguar, ruajtja më e gjatë e numrave dhe kontrolli më i mirë mbi shpenzimet e komunikimit elektronik.
Marrë nga Scantv.al