Mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore përmes ndërgjegjësimit të shoqërisë dhe aktorëve që merren me kulturën janë në qendër të projektit Cultur AL, që është prezantuar këtë të enjte në mjediset e “Europe House” në Tiranë. Projekti do të shtrihet përgjatë tre viteve në të gjithë Shqipërinë dhe bëhet i mundur falë mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare për Shërbime Komunitare dhe Qendrën Artivista.
“Shumica e njerëzve nuk kanë ndërgjegjësimin as çfarë është kultura në vetvete dhe sa e gjerë është. U përmend përgjatë takimit, fakti që shprehu edhe përfaqësuesi i BE-së, që në Kalanë e Beratit bëhen grafite, hidhen plehra. Kjo është për të kuptuar që është një vlerë e UNESCO-s, të cilën të gjithë njerëzit duhet ta vlerësojnë. Vijnë njerëz nga gjithë bota për ta vizituar dhe ne që jemi shqiptarë nuk e mbrojmë. Ky projekt synon pikërisht ndërgjegjësimin, synon lidhjen e gjithë aktorëve për të bërë një ndryshim që është i rëndësishëm, jo vetëm nga ana e trashëgimisë kulturore si kulturë, por edhe nga ana ekonomike dhe e inovacionit.”, – thotë Arlinda Shehu Gjypi, menaxhere e projektit.
“Bashkimi Evropian është angazhuar në disa aspekte të ruajtjes dhe zhvillimit të trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Ne jemi duke ndihmuar Shqipërinë të jetë në një linjë me rregulloret e BE-së, konkretisht edhe në restaurimin e siteve historike që janë dëmtuar nga tërmeti. Promovojmë angazhimin e shoqërisë civile në ndërgjegjësim dhe ruajtjen e trashëgimisë artistike dhe historike përmes këtij projekti, por gjithashtu edhe për të tjera site e projekte. Ne kemi partneritet me ‘Italian Cooperation’ për të rehabilituar sitin arkeologjik të Bylisit, promovojmë turizmin e qëndrueshëm në natyrë, site arkeologjike dhe historike dhe është mundësi e fuqishme dhe sfidë, sepse Shqipëria është e pasur me site arkeologjike e historike, që ka nevojë të ruhen dhe mirëmbahen për brezat e ardhshëm. Por është gjithashtu mundësi edhe për të krijuar punësim të të rinjve dhe për të zhvilluar turizmin.”., – thotë nga ana e tij Andrea Ferrero, Kreu i Seksionit të Zhvillimit Ekonomik dhe Social në delegacionin e BE-së në Shqipëri.
Marrë nga Shqiptarja.com