Një grup aktivistësh zhvilloi sot një aksion kundër kryeministrit Edi Rama para mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, që po mbahej në Gjirin e Lalëzit.
Aktivistët dolën në rrugën ku po kalonte eskorta e kryeministrit, në zonën e Manzës, dhe hodhën vezë e domate në drejtim të automjetit të tij. Jo vetëm kaq, por ashtu si në aksionet e tjera të këtij grupi aktivistësh, hapën edhe banderola me mesazhe kundër qeverisë.
“Ju erdhi fundi” dhe “Ngjala ka shumë hala” ishin dy mesazhet e shpalosura nëpërmjet banderolave të mëdha. Mesazhi i banderolës së dytë i referohej një takimi të mëparshëm politik të Edi Ramës në të njëjtën zonë, në kohën kur Partia Socialiste ishte në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI).
Përmes këtyre mesazheve, aktivistët synuan të lidhnin zhvillimet e sotme politike me historikun e marrëveshjeve dhe koalicioneve të mëparshme të kryeministrit.
Natasha Paja, aktiviste dhe pjesëmarrëse në aksion, tregoi se ndërhyrja ishte organizuar në dy grupe. Grupi i parë doli në itinerarin e eskortës së kryeministrit dhe hodhi vezë, ndërsa grupi i dytë, pak më tutje, vijoi me shpalosjen e banderolave, thirrje dhe hedhjen simbolike të vezëve.
Sipas saj, qëllimi ishte që Rama të përballej me kundërshtimin e qytetarëve edhe jashtë protestave të zhvilluara në Tiranë.
“Edi Rama nuk ka legjitimitet. Absolutisht nuk është qëllimi për ta dëmtuar, por për të treguar që ne jemi këtu, qytetarët dhe aktivistët janë këtu dhe duhen dëgjuar”, u shpreh aktivistja Paja.
Pas aksionit, aktivistët morën makinat për t’u kthyer në Tiranë dhe për të marrë pjesë në protestën e thirrur para Ministrisë së Arsimit, por, siç thotë aktivistja Paja, 11 prej tyre janë ndaluar rrugës nga Forcat Operacionale të Policisë dhe janë shoqëruar në komisariatin e Durrësit.
Albi Dema, Jesmina Sengla, Nefeli Selimaj, Oljami Dervishi, Lea Allkoja, Migela Cani, Elsa Paja, Edison Lika, Igli Llapaj dhe Dritan Goxhaj, janë aktivistët e shoqëruar.
Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës nuk ka publikuar asnjë njoftim për shoqërimin e aktivistëve.
Aktivistja e cilësoi aksionin si pjesë të protestës së tyre kundër qeverisë dhe paralajmëroi se kundërshtimi do të vijojë. “Jemi shumë të vendosur për këtë gjë dhe do e çojmë deri në fund”, përfundon ajo.
“Dhuna policore, një legjendë urbane e jashtëzakonshme”
Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, morën pjesë kryeministri Edi Rama, ministrat, deputetët dhe drejtues të strukturave të partisë. Në fokus të diskutimeve ishin zhvillimet e fundit politike, protestat e përditshme dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te protestat e Revolucionit Flamingo, duke pretenduar se protestuesit janë dëgjuar nga qeveria dhe se dhuna policore është një “legjendë urbane e jashtëzakonshme”.
Ndërkohë, para se ai të bënte këtë deklaratë, policia kishte shoqëruar 11 aktivistë që hodhën vezë drejt eskortës së tij, një formë proteste që aktivistët e kanë përdorur prej muajsh edhe ndaj deputetëve në Parlament.
E njëjta simbolikë u përdor tre ditë më parë në Dublin, gjatë protestës pranë Institutit të Çështjeve Ndërkombëtare dhe Evropiane, ku shqiptarët që jetojnë atje e “mirëpritën” Ramën duke i hedhur vezë. Ai arriti të shmangte njërën prej tyre.
Njësoj si shumë herë të tjera, edhe në këtë mbledhje kryeministri i cilësoi protestat si të shoqëruara nga dhuna dhe pretendoi se pas tyre qëndronin edhe “duar të huaja”, ndërsa akuzoi organizatorët për përpjekje për largimin e tij nga pushteti me dhunë.
Kjo mbledhje shënon nisjen e organizimit të Partisë Socialiste për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, ku një prej çështjeve kryesore është Bashkia e Tiranës, e cila vijon të drejtohet në mungesë të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim.
Përplasjet mes Veliajt dhe kryeministrit Rama, si dhe ndryshimet e fundit në drejtimin politik të PS-së në kryeqytet, e vendosin Tiranën në qendër të riorganizimit të strukturave socialiste për zgjedhjet e ardhshme.
Marrë nga Citizens.al