Pjesëmarrës në diskutimet në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara i kanë bërë thirrje administratës së presidentit Donald Trump të angazhohet më shumë në Ballkanin Perëndimor, për ta stabilizuar rajonin, duke vlerësuar se Rusia, përmes Serbisë, është faktori kryesor për destabilizim.
Duke hapur seancën dëgjimore të martën vonë, kryetari republikan i Nënkomitetit për Evropën, Keith Self, vlerësoi se Ballkani Perëndimor, përveç Ukrainës që është nën pushtimin rus, është “rajoni më i paqëndrueshëm në Evropë”.
Marrëdhëniet e pazgjidhura të Serbisë me Kosovën janë një nga nxitësit kryesorë të paqëndrueshmërisë rajonale, çka më tej i mundëson Rusisë ta minojë Bashkimin Evropian dhe aftësinë e NATO-s për t’i fuqizuar vendet e Ballkanit, tha Self.
Në rast konflikti, aleatët e NATO-s – Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi – do të jenë drejtpërdrejt në shënjestër, gjë që mund të çojë në aktivizimin potencial të nenit 5 të Aleancës, tha Self, duke shtuar se aleatët e NATO-s në Ballkan duhet të ndërtojnë së bashku pengesë politike dhe ushtarake, por se Kosova do të jetë veçanërisht e ekspozuar për shkak se nuk është pjesë e aleancës perëndimore.
Kundërshtarët e SHBA-së po i shfrytëzojnë aktivisht dobësitë për të zhvilluar luftë hibride që rrit paqëndrueshmërinë në rajon, tha Self, duke nënvizuar se Kina po e përdor ndikimin e saj duke kryer stërvitje ushtarake dhe duke dërguar armë në Serbi.
Rusia gjithashtu ndikon në rritjen e tensioneve në Bosnje, në Republikën Sërpska dhe në Serbi, theksoi Self, duke vënë në pah se ish-presidenti i entitetit serb në Bosnje, Millorad Dodik, po vazhdon të përdorë kapitalin e tij politik për ta kontrolluar Republikën Sërpska dhe për të vepruar në interes të Rusisë duke kërcënuar me ndarjen e saj nga Bosnja.
Nga ana tjetër, sipas tij, Serbia, pavarësisht dërgimit indirekt të armëve në Ukrainë, ka gjithashtu lidhje mbrojtëse me Rusinë dhe Kinën, dhe promovon propagandën kineze dhe ruse. Ai vuri në dukje se për të përfunduar ndikimin politik të Moskës, duhet trajtuar çështja e varësisë së Serbisë nga energjia ruse.
William R. Keating, anëtari me rang më të lartë demokrat në Nënkomitet, shprehu bindjen se SHBA duhet të vazhdojë të mbështesë të ardhmen e Bosnjës, përfshirë Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR).
Ai kritikoi administratën Trump për heqjen e sanksioneve ndaj Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët, siç tha ai, kanë treguar pak gatishmëri për të ndryshuar sjelljen në Republikën Sërpska.
Duke theksuar se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq për vite ka minuar sundimin e ligjit dhe ka forcuar lidhjet e Serbisë me Kinën dhe Rusinë, ai i bëri thirrje sekretarit të Shtetit Marco Rubio të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit në Serbi, si dhe t’i bëjë të qartë Beogradit se forcimi i lidhjeve me Moskën dhe Pekinin nuk është i përputhshëm me synimin e deklaruar për t’u integruar në komunitetin transatlantik.
Max Primorac, hulumtues në Qendrën për Liri Margaret Thatcher pranë Fondacionit konservator Heritage, vlerësoi se “Ballkani nuk është në gjendje të mirë” dhe shtoi se “Bosnja është një shtet i dështuar” 30 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së Dejtonit për paqe dhe miliardave të shpenzuara në ndihmë nga SHBA-ja.
Ai tha se Bosnja është “në krizë të përhershme” dhe se është koha të përfundojë “dështimi katastrofik i ndërtimit të shtetit”, duke theksuar se sovraniteti i vendit duhet të rivendoset duke mbyllur Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë “që shkarkon liderë të zgjedhur, vendos veto mbi ligjet dhe ndalon këdo që nuk i pëlqen”.
“Megjithatë, rajoni nuk do të stabilizohet derisa Serbia të normalizohet”, theksoi Primorac, duke vlerësuar se udhëheqësit serbë “mbeten të lidhur me agjendën prorusë që nxit destabilitet” në vendet fqinje, veçanërisht në Kosovë dhe Mal të Zi, dhe u jep mundësi Moskës, Pekinit dhe Teheranit të minojnë krahun jugor të NATO-s.
Gazi dhe nafta amerikane mund të ndihmojnë në ndërprerjen e varësisë së Ballkanit nga Rusia, në heqjen e fondeve për makinerinë e luftës së Vladimir Putinit dhe në minimizimin e ndërhyrjes së Moskës në rajon, tha Primorac, duke vlerësuar se Qeveria amerikane kishte të drejtë të vendoste sanksione ndaj NIS për shkak të pronësisë ruse.
“Shtëpia e Bardhë duhet të caktojë ambasadorë politikë në Ballkan për të promovuar një agjendë të fokusuar në biznes, por të jetë e gatshme të përdorë viza, sanksione bankare dhe të tjera, si dhe stimuj tregtarë e investues për ta nxjerrë rajonin nga duart ruse, kineze dhe iraniane”, tha ai.
“Ndërsa Serbia herë pas here pretendon një qasje të balancuar të politikës së jashtme, realiteti është se Beogradi është i ankoruar thellë në orbitën ruse dhe kjo nuk do të ndryshojë së shpejti”, tha Coffey.
Ai shtoi se Kremlini përdor Republikën Sërpska për të përhapur më tej paqëndrueshmëri, duke theksuar se Dodik, edhe pse është shkarkuar nga funksioni, mbetet me ndikim dhe vazhdon të avokojë për shkëputje, gjë që është mbështetur prej vitesh nga Rusia dhe Serbia. Ai gjithashtu kritikoi heqjen e sanksioneve ndaj Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Coffey vlerësoi se Marrëveshja e Dejtonit është një nga sukseset më të mëdha të politikës së jashtme amerikane pas Luftës së Ftohtë dhe se zhbërja e saj do të krijonte paqëndrueshmëri të mëtejshme.
Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA dhe ekspert i menaxhimit të konflikteve, tha se ndonëse asnjë aktor i vetëm – vendës apo ndërkombëtar – nuk është plotësisht përgjegjës për tensionet dhe dobësitë e vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, “një parakusht për stabilitet mbetet i paplotësuar: Serbia duhet të pranojë rendin perëndimor për rajonin”.
Ai theksoi se ka ardhur koha që SHBA të jetë më e vendosur në orientimin e Beogradit drejt një zgjedhjeje përfundimtare strategjike, duke shtuar se rruga euroatlantike është zgjedhja e vetme racionale për Serbinë, e cila, sipas tij, nuk duhet të bëhet Bjellorusia e Ballkanit.
“Fatmirësisht, administrata është në pozitë të mirë për të orientuar Beogradin në këtë drejtim”, tha Joseph, duke përmendur protestat njëvjeçare në Serbi që kërkojnë përgjegjësi nga Qeverisë pas shembjes së çatisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, i cili ishte rindërtuar në kuadër të nismës kineze “Rripi dhe Rruga”.
Rruga drejt stabilitetit të qëndrueshëm kalon përmes Beogradit, jo përmes lutjeve ndaj qeverisë, por përmes një qasjeje të fortë dhe partneriteti të vërtetë, tha Joseph, duke shpjeguar se kjo nënkupton se SHBA nuk duhet të bjerë pre e kërkesave ruse apo serbe për të fituar kohë për t’u larguar nga NIS.
SHBA mund të ndërpresë marrëdhëniet destruktive të Serbisë me Rusinë dhe Kinën duke zgjidhur ngërçin me Kosovën, dhe sipas tij, “përgjigjja përfundimtare nuk është dialogu i udhëhequr nga BE, por rruga drejt anëtarësimit në NATO si për Prishtinën, ashtu edhe për Beogradin”.
“Presidenti Trump është në pozitë të mirë për të paraqitur një ofertë kaq transformuese”, tha Joseph, duke theksuar se administrata Trump është gjithashtu në pozitë të mirë për të bashkëpunuar me OHR-në për të zgjidhur çështjen kyçe të pronës shtetërore në Bosnje, duke hapur mundësi për investitorët amerikanë në vend.
Marrë nga Radio Evropa e Lirë