Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, ka deklaruar nga Pogradeci se procesi i reformës zgjedhore dhe asaj territoriale është në dorë të institucioneve shqiptare dhe se organizata që ai përfaqëson nuk ndërhyn në përcaktimin e modeleve politike apo zgjedhore. Ai u shpreh se Prezenca e OSBE-së ka mbështetur punën e komisionit të posaçëm për reformën, por theksoi se procesi ka ecur ngadalë dhe ka humbur kohë, ndonëse tani është rifilluar.
Ai shtoi se vendimmarrja për sistemin zgjedhor i takon vetëm shqiptarëve, duke përfshirë edhe çështje si numri i deputetëve në Kuvend, ku sipas tij ka argumente të ndryshme pro dhe kundër uljes apo rritjes së numrit. “Është një çështje e shqiptarëve dhe nuk është detyra jonë të komentojmë aspektet teknike të sistemit,” tha ambasadori, duke theksuar se çdo vend ka realitetin dhe nevojat e veta institucionale. Në lidhje me pyetjen e hartës territoriale ambasadori u përgjigj: “Nuk jam i sigurt që do shkoni me hartën e re territoriale, nuk e di do shikojmë, deri tani nuk kam dëgjuar që do të jetë gati një hartë e re e di që dhe këtu mendime të ndryshme, nuk është puna ime që të hy në këtë debat.”
Për pyetjen e pakënaqësive të partive të vogla në lidhje me reformën zgjedhore që dominohet nga partitë e mëdha ambasadori shprehet se: “Ky lloj diskutimi ekziston në vendet e tjera gjithashtu, edhe prapë mund të kuptoj edhe vendimin e atyre partive që konsiderohen që nuk respektohen në mënyrën e duhur dhe që nuk u jepen mundësi për tu zhvilluar. Por duhet thënë që ka shumë vende ku sistemi bazohet në parimin e dy palëve, një parti e madhe ose një koalicion partish të mëdha nga njëra anë dhe një koalicion partish të mëdha nga ana tjetër.
Ose dy parti, të mos flasim për Europën, por në Shtetet e Bashkuara ka dy parti, edhe gjithë përpjekjet që janë bërë nga aktorët e tjerë për të krijuar parti të tjera të vogla nuk kanë punuar atje dhe asnjëri nuk do të thotë që Shtetet e Bashkuara nuk janë një vend demokratik. Domethënë ekzistojnë sisteme të ndryshme. Jemi, mund të konsiderojmë që jemi akoma në periudhë tranzicioni në Shqipëri. Mendoj që duhet ta gjejnë një sistem që është më i përshtatshëm për vendin tuaj. Nuk e di, ka periudha që kanë vazhduar më shumë. Perandoria Osmane ka qenë këtu 500 vjet, komunizmi ka qenë këtu 45 vjet. Tranzicioni nuk tregon që nuk thotë që nuk ka zhvillim. Zhvillimi vazhdon dhe mendoj që tranzicioni do të vazhdojë, dhe vazhdon tek ne gjithashtu, tek ne gjithashtu ndryshohet nganjëherë sistemi zgjedhor. Jam francez, ju e dini që në Francë kemi patur disa reforma zgjedhore dhe jemi duke diskutuar. Në Francë ka disa parti që kërkojnë ndryshim të zgjedhjeve sepse konsiderojnë që sistemi i tanishëm nuk është i përshtatshëm.”.
Marrë nga Balkanweb.com