Me tone të ngritura komisioni për ekonominë e financat diskutoi sot paradite për propozimin e deputetit Braçe për ndryshimin e ligjit “për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”. Zoti Braçe ka propozuar ndryshimin e skemës së TVSH për fermerët, një nismë që siç tha, është deformuar që nga viti 2018 dhe vazhdon e sot e kësaj dite shkatërron fermerët.
“Ne kemi bërë një skemë që është shpikje. E bëri një ministër që u bë zv. kryeministër dhe se dimë ku është, dhe po e vazhdon edhe ky i fundit, që sot del e bën fushatë në Myzeqe dhe refuzon të vijë në komisionin tonë të japë sqarime. I pari ministër që bën një refuzim të tillë”, tha Braçe duke hedhur shigjetat ndaj Petrit Malaj i cili është vendosur si kandidat për deputet i PS në zonën e Lushnjës.
“Meqë po flasim për fermerët”, tha Braçe, “Dua ta shoh këtë ministrin sesi do të përballet me atë zonjën atje në fshat që zgjohet në 4 të mëngjesit punon gjithë ditën e fle në 1 të mëngjesit. Sepse grumbulluesi e merr qumështin e saj me 0 tvsh sipas skemës suaj, e përpunon dhe e shet me 20 përqind tvsh që e shkarkon. Ju po falimentoni fermerin. Keni gjetur një skemë kompensimi që ishte shpikje dhe e thelluat. Ju keni vendosur një tatim mbi qarkullimin dhe kjo është në disfavor me prodhimin vendas. Ndaj këtyre u leverdis të marrin qumësht e prodhime të tjera bujqësore jo brenda vendit por jashtë shqipërisë”, argumentoi Erion Braçe.
“Nuk e di sesa vite kam qe e shpjegoj një gjë të tillë me njerëz që vijnë e ulen aty, ndryshojnë drejtora e zv.ministra dhe asnjëri nuk bën gjë. Kjo lloj tallje vetëm këtu bëhet. Meqë është puna ime e fundit në kuvend unë do të jem i kenqur që kjo gjë të votohet kundër në parlament. Dhe do tia jap voten ministrit që bën sot fushatë në myzeqe dhe ta shohë ai sesi do të votojë kundër”, tha deputeti i revoltuar.
E pamundur për kryetarin e komisionit Eduard Shalsi të hidhte poshtë propozimin e Braçes që mbështetej edhe nga Vullnet Sinaj. Deputeti Sinaj i kërkoi përfaqësuesit të ministrisë së Bujqësisë të ndërhynte në mbrojtje të fermerëve sepse sic argumentoi ai, “financa atë punë ka, do të mbledhë lekët, por ju duhet të mbështesni fermerin”.
Marrë nga Newsbomb.al