Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin, nga tre vjet për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun, si dhe nëntë muaj për Hajredin Kuçin.
Thaçi është dënuar më 16 shtator, në shkallë të parë, me 25 vjet burgim për krime lufte. Nëse shpallet fajtor edhe në rastin për pengim të drejtësisë, ai mund të marrë një dënim tjetër.
Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Për çfarë akuzohen Thaçi dhe të tjerët?
Sipas aktakuzës, Hashim Thaçi dhe katër të bashkakuzuarit e tij dyshohet se janë përpjekur të ndikojnë në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Prokuroria pretendon se Thaçi, gjatë vizitave që ka pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Hagë në vitin 2023, u ka dhënë të bashkakuzuarve informacione konfidenciale për dëshmitarët dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre.
Akuzat përfshijnë pengimin e personave zyrtarë, shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe mosbindjen ndaj gjykatës.
Marrë nga Radio Evropa e Lirë