Organizata militante islamike palestineze Hamas deklaroi se ka pranuar pjesë të propozimit të paqes të Presidentit të SHBA-së Donald Trump. Hamasi njoftoi se do të heqë dorë nga kontrolli i Rripit të Gazës dhe do të lirojë të gjithë pengjet e mbetura. Megjithatë për disa elemente të planit të paqes të propozuar prej Trupit nevojiten negociata të mëtejshme.
Ultimatumi i Trumpit
Në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Gazë Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i dha Hamasit afat deri të dielën për të pranuar planin e paqes të propozuar prej tij. Përndryshe, ai kërcënoi se për milicinë terroriste islamike “do të shpërthejë ferri”.
Hamasi duhet të bjerë dakord me planin e paqes deri të dielën në orën 6:00 të pasdites sipas kohës së Uashingtonit, shkroi Trump në shërbimin e tij online, Truth Social. “Të gjitha vendet kanë rënë dakord! Nëse kjo MUNDËSI E FUNDIT për një marrëveshje nuk shfrytëzohet, mbi Hamasin do të shpërthejë një FERR si askush nuk e ka parë më parë”, shkroi ai.
Reagime ndërkombëtare pozitive
Plani që Trumpi prezantoi të hënën, bën thirrje për t’u dhënë fund luftimeve. Sipas tij Hamasi duhet të lirojë të gjithë pengjet dhe do të dorëzojë armët. Pas kësaj luftëtarët e tij do të lejohen të tërhiqen. Më shumë se dy milionë banorë të Rripit të Gazës do të vendosen nën kontroll ndërkombëtar për një periudhë të parashikueshme. Trumpi pretendon të ketë në këtë mes një rol udhëheqës. Gjithashtu është planifikuar një shpërndarje e garantuar e ndihmave humanitare dhe rindërtimi i rajonit bregdetar të dëmtuar rëndë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se e mbështet planin. Propozimi është pritur me reagime pozitive ndërkombëtare, edhe nga përfaqësuesit arabë dhe myslimanë.
Marrë nga DPA.de