Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka ndarë sot 37 mandatet e qarkut Tiranë. Në këtë qark, 19 mandate janë për Partinë Socialiste, 13 për Partinë Demokratike-ASHM, 2 për Partinë Mundësia, 1 për PSD , 1 për Lëvizjen Bashkë dhe 1 për koalicionin Nisma Shqipëria Bëhet.
Përfaqësuesja ligjore e “Shqipëria Bëhet” Dorina Prethi, kërkoi nga KQZ kalimin e mandatit tek lista e hpaur, duke thënë se lista e mbyllur dha dorëheqjet para 11 majit. Ajo shtoi se dorëheqjet e kandidatëve të listës së mbyllur duhet të konsiderohen të miratuara në heshtje, pasi KQZ nuk është shprehur me vendim brenda 60 ditëve.
Sipas saj, KQZ ka qenë e detyruar të përgjigjet gjë që nuk është bërë. Për këtë Celibashi tha se deklaratat e tyre në 11 maj duhej të ishin shqyrtuar dhe duhet të kishte disponim dhe sa kohë nuk ka disponuar brenda një afati që në kodi zgjedhor nuk është parashikuar, procesi i KQZ ka rënë në dekadencë dhe këto deklarata konsiderohen të miratuara.
Për këtë, Prethi u përgjigj se kandidatët kanë dhënë dorëheqjen që më 11 maj, por ka hyrë në fuqi më 10 korrik 2025. Ajo tha se duan kërkesë me shkrim për Kordhonin. Ajo shtoi se kanë konstatuar firma të ndryshme dhe se u rezulton që dokumentet e kandidimit nuk janë firmosura nga ai.
Nga ana tjetër Partia Socialdemokrate e Tom Doshit ka depozituar kërkesë në KQZ për dorëheqjen e të gjithë kandidatëve të listës së mbyllur.
Mësohet se Kryetari i PSD-së ka vendosur të heqë dorë nga mandatet në listën e mbyllur dhe ka bërë kërkesë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve për të shpërndarë të gjitha mandatet e fituara nga listat e mbyllura, duke i kaluar tek listat e hapura.
Edhe kjo kërkesë si edhe ajo e “Shqipëria Bëhet” janë shtyrë për shqyrtim në një moment tjetër.
Marrë nga Dosja.al