Gjykata Kushtetuese e Kosovës njëzëri ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Kjo masë – që do të jetë në fuqi nga 5 deri më 30 shtator – u kritikua nga fituesja e zgjedhjeve, Lëvija Vetëvendosje, e cila ka bërë thirrje të ecet përpara me formimin e Qeverisë së re.
Gjykata e vendosi këtë masë në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.
Kushtetuesja tha se e pranoi kërkesën për masë të përkohshme, sepse ajo i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.
Gjykata theksoi se – pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese në seancat e 26 dhe 28 gushtit – “është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit”.
Ajo shtoi se masën e vendosi “në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës”.
LVV: Kushtetuesja mbajti anë
Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e kritikoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese si të “njëanshëm”.
“Gjykata Kushtetuese që në krye të herës ka mbajtur anë duke marrë këtë vendim sot. Ndalimi i punës së 120 deputetëve është në kundërshtim të plotë me funksionalizimin e një nga institucioneve më të rëndësishme të shtetit siç është Kuvendi”, shkroi LVV në një reagim në Facebook.
Ajo tha se në tekstin prej 15 faqesh të Kushtetueses për arsyetimin e masës “është paraqitur disa herë vlerësimi i ankuesve se atyre u takon ekskluziviteti i propozimit dhe zgjedhjes së nënkryetarit”.
“Kjo nuk është thënë as në Kushtetutë, kjo nuk është as fryma e organizimit të shtetit të Kosovës. Çdo interpretim e aktgjykim që do të shkonte në këtë drejtim do të ngurtësonte të drejtën e vetos në konstituimin e Kuvendit nga Lista Serbe”, tha ajo.
LVV shtoi se Lista Serbe dhe asnjë parti që ka vende të rezervuara në Kuvend “nuk duhet dhe nuk e ka të drejtën e vetos për konstituimin e Kuvendit të Kosovës”.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, tha në Facebook se e mori vendimin e Kushtetueses, por nuk komentoi më shumë.
Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje se po e “bllokon një shtet të tërë, për një pozitë të parëndësishme partiake” në Kuvendin e Kosovës.
Ai shkroi në Facebook se Kosova “do t’i humbë edhe 30 ditë të tjera” pas vendimit më të fundit të gjykatës më të lartë të vendit.
“Tridhjetë ditë të tjera pa institucione funksionale, pa ligje që bëhen, pa projekte që ecin. Si po humbka Serbia kështu? Ne të bllokuar për një nënkryetar të parëndësishëm, e ata humbës disi?!” shkroi Abdixhiku.
Bugaqku: Procedurë për parandalimin e pasojave juridike
Njohësi i çështjeve ligjore dhe kushtetuese, Vullnet Bugaqku, nga Instituti Demokratik i Kosovës, e konsideron vendimin e Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme si një veprim të drejtë dhe të domosdoshëm.
Sipas tij, kjo është një masë procedurale që synon të parandalojë çdo pasojë juridike të mundshme, si dhe dëmet që mund të shkaktohen nga veprimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës apo nga presidentja Vjosa Osmani.
“…për të mos lejuar që të ketë veprime të mëtutjeshme procedurale nga akterët përkatës – rrjedhimisht nga deputetët e Kuvendit dhe nga presidentja e shtetit. Është përfolur mjaft këto ditë dhe ka pasur mjaft diskutime që e njëjta [presidentja Osmani] mund të caktojë mandatarin për formimin e Qeverisë, sipas kërkesës së partisë fituese të zgjedhjeve [Lëvizjes Vetëvendosje]”, thotë Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.
Ai thekson se ky veprim duhet të ndodhë vetëm pasi Kuvendi të konstituohet plotësisht.
Periudha e masës së përkohshme – nga 5 deri më 30 shtator – është e mjaftueshme, sipas Bugaqkut, që Gjykata Kushtetuese ta sqarojë dhe “ta pastrojë” çështjen e konstituimit të Kuvendit.
Sipas tij, masa e përkohshme nuk jep sinjal për drejtimin e aktgjykimit final të Gjykatës.
Ai, gjithashtu, kujton se ka raste kur Gjykata ka vendosur masa të përkohshme, por kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se është konstatuar shkelje e Kushtetutës gjatë shqyrtimit të kërkesave të paraqitura nga palët.
Marrë nga Radio Evropa e Lirë