Lideri i partisë më të madhe të ekstremit të djathtë në Rumani do të lejohet të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të majit, pasi kandidati i mëparshëm kryesor, të cilin ai mbështeste, u përjashtua nga gara.
Byroja zgjedhore e vendit miratoi të shtunën kandidaturën e George Simion, kreut të Aleancës për Bashkimin e Rumunëve (AUR). Nëse dikush e sfidon këtë vendim, Simion do të ketë nevojë për miratimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
“Kaluam nga byroja zgjedhore dhe tani duhet të shohim nëse kalojmë edhe në gjykatën më të lartë, në mënyrë që të rikthehemi në demokraci,” shkroi Simion në Facebook.
Simion, 38 vjeç, vendosi në minutën e fundit të hynte në garën e përsëritur të 4 majit pasi Calin Georgescu u përjashtua nga byroja zgjedhore për shkak të qëndrimeve të tij ekstremiste dhe antidemokratike. Gjithashtu, të shtunën, byroja zgjedhore refuzoi kandidaturën e Diana Sosoacës, një politikane pro-ruse e njohur për pikëpamjet e saj ekstremiste, sipas Digi 24.
Sosoaca, e cila është deputete në Parlamentin Europian, u ndalua gjithashtu nga Gjykata Kushtetuese që të merrte pjesë në votimet presidenciale të anuluara vitin e kaluar. Vendimi i atëhershëm ishte i paprecedentë dhe u prit negativisht si nga politikanët ashtu edhe nga shoqëria rumune në përgjithësi.
Vetëm pak javë më vonë, vendi ballkanik u përfshi nga trazira politike, pasi fitorja tronditëse e Georgescu-t në raundin e parë, një kandidat i konsideruar deri atëherë periferik, ngriti dyshime për ndërhyrje ruse dhe detyroi Gjykatën e Lartë të anulonte zgjedhjet dhe të urdhëronte përsëritjen e tyre. Ky vendim më pas u kritikua nga zv/presidenti amerikan JD Vance, i cili në shkurt e quajti atë të bazuar në “prova të dobëta” dhe vuri në pikëpyetje institucionet demokratike të Rumanisë.
Simion iu drejtua mbështetësve të tij të premten, duke thënë: “Sot kemi një vend të ndarë, me anëtarë të së njëjtës familje që nuk flasin me njëri-tjetrin për shkak të qëndrimeve të ndryshme mbi atë që ndodhi. Duhet të shërohemi dhe të bëhemi më të bashkuar, prandaj zgjedhjet e majit janë mundësia e fundit për të zgjedhur kandidatin që duan njerëzit dhe jo atë që zgjedh sistemi.”
Deri tani, Georgescu ka hezituar të mbështesë ndonjë kandidat tjetër, por Simion tha se ka mbështetjen e tij, si dhe të AnamariaGavrilës, e cila drejton partinë më të vogël të së djathtës ekstreme, POT, për të “çuar përpara lëvizjen sovraniste.”
Anulimi i zgjedhjeve vitin e kaluar u prit negativisht nga shumica e rumunëve dhe forcoi ndjenjat kundër establishmentit, duke i dhënë përfitime spektrit të ekstremit të djathtë. Sondazhet sugjerojnë se Georgescu, i cili ka mohuar çdo shkelje dhe e ka paraqitur veten si viktimë e intrigave të elitës, do të kishte marrë rreth 40% të votave në maj, duke pasur një mundësi reale për t’u bërë president i Rumanisë.
Simion ka shfaqur qëndrime më të moderuara se Georgescu, i cili ka lavdëruar presidentin rus Vladimir Putin. Lideri i AUR ka deklaruar disa herë se mbështet anëtarësimin e Rumanisë në BE dhe NATO, duke pasur parasysh se vendi ka kufirin më të gjatë me Ukrainën midis shteteve anëtare të aleancës.
Megjithatë, përpjekja e Simionit për të shfrytëzuar zhgënjimin me politikën tradicionale të Rumanisë dhe për të ruajtur rritjen e ekstremit të djathtë tani përballet me konkurrencë nga kandidatë të rinj, përfshirë kryebashkiakun e Bukureshtit, Nicusor Dan, dhe ish-kryeministrin Victor Ponta.
Simion doli i katërti në zgjedhjet e anuluara vitin e kaluar dhe tani është nën hetim për një deklaratë të bërë më 9 mars, ku duket se kërcënoi me dhunë zyrtarët e byrosë zgjedhore. Ai pretendon se fjalët e tij janë keqinterpretuar dhe mohon çdo akuzë.
Marrë nga Bloomberg.com