Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi nga Singapori, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, se njohja e një shteti palestinez është sot jo vetëm një “detyrim moral”, por edhe një domosdoshmëri politike.
“Duhet të veprojmë në orët dhe ditët në vijim”, mësohet të ketë thënë ai, teksa trysnia ndërkombëtare ndaj shtetit hebre sa vjen e rritet, mes situatës katastrofike humanitare të Gazës. Shefi i Elizesë paralajmëroi se nëse nuk ka reagim të duhur nga ana e Tel Avivit, Europa duhet t`i japë fund iluzioneve se të drejtat e njeriut në enklavë po respektohen, dhe të marrë masa për vendosje sanksionesh. Macron nënvizoi sidoqoftë se njohja e një shteti palestinez duhet të vijë me kushte, përfshirë çarmatosjen e Hamasit dhe njohjen e së drejtës së Izraelit për të ekzistuar dhe për t’u mbrojtur.