Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në takimet konsultuese me presidentin Bajram Begaj për datën e zgjedhjeve të ardhshme. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi përmes një postimi u shpreh se ky është një proces farsë dhe që synon vetëm t’i jap legjitimitet një akti të diktuar në mënyrë antikushtetuese nga partia në pushtet.
Sipas tij data është caktuar nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla dhe se presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë”vullnetin e partisë në pushtet”.
Bardhi tha se Begaj pati mundësinë që të vepronte si figurë unifikuese dhe të luante rolin kushtetues të Kreut të Shtetit, ndërsa shton se ishte zgjedhja e tij që të bëhet palë politike dhe të mos mbajë asnjë qëndrim për gjendjen ku ndodhet sot Shqipëria.
Reagimi
Të hënën, ora 10:30, Sekretari i Përgjithshëm i PD dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, janë ftuar zyrtarisht nga Institucioni i Presidentit të Republikës për t’u bërë pjesë e një procesi “konsultimesh” lidhur me datën e zgjedhjeve. Personalisht refuzoj të përfshihem në një proces farsë dhe që synon vetëm t’i jap legjitimitet një akti të diktuar në mënyrë antikushtetuese nga partia në pushtet.
Caktimi i datës së zgjedhjeve është kompetencë kushtetuese e Presidentit të Republikës dhe kurrësesi një akt që diktohet nga Edi Rama dhe Taulant Balla. Tashmë dyshja Rama-Balla e kanë caktuar datën e zgjedhjeve dhe Presidenti pritet vetëm të nënshkruajë e të vulosë vullnetin e partisë në pushtet. Farsa e gjoja konsultimeve me parti politike dhe madje edhe me individë pa parti, është një akt i shëmtuar që meriton vetëm të përbuzet.
Presidenti i Republikës ka patur të gjitha shanset që të vepronte si figurë unifikuese dhe të luante rolin kushtetues të Kreut të Shtetit. Ka qenë zgjedhja e Presidentit të Republikës që të bëhet palë politike dhe të mos mbajë asnjë qëndrim për gjendjen ku ndodhet sot Shqipëria.
Madje me heshtjen e tij shurdhuese, Presidenti i Republikës po nxit Trupin Diplomatik të Republikës së Shqipërisë në mbarë botën që të përfshihen në organizimin dhe pjesëmarrjen në turin e takimeve politike/elektorale të Partisë Socialiste, ku Edi Rama kërkon votë për partinë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme. Edhe pse është vënë zyrtarisht në dijeni, Presidenti i Republikës ende nuk ka marrë leje nga Edi Rama për të reaguar dhe për t’u distancuar publikisht nga ky veprim i paligjshëm i Trupit Diplomatik të dekretuar prej tij. Një President që sillet si palë politike meriton vetëm injorim dhe çdo takim me të është vetëm humbje kohe!