Kryetarja e Komisionit të Apelimit në Partinë Demokratike, Adriana Kalaja, ka dorëzuar në SPAK kërkesën për hetimin pasuror dhe pezullimin e kandidimit për dy ish-drejtuesve të njohur socialistë të pushtetit lokal, Agron Kapllanaj dhe Agron Malaj, për abuzime të mëdha me fondet publike dhe manipulime zgjedhore.
Kalaja ka përmendur shifra të frikshme, duke përfshirë 44 milionë euro në Bashkinë Mat dhe 16 milionë euro në Bashkinë Mallakastër, ku janë përfshirë vëllezërit dhe familjarët e të kallëzuarve, që kanë përdorur taksat e qytetarëve për përfitime personale, duke shfrytëzuar tenderë të paligjshëm dhe projekte abuzive.
Ajo ka theksuar se këto skema janë përdorur për blerjen e votave dhe manipulimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë vëllain e Agron Malaj, Fatos Malaj, dhe pjesëtarë të tjerë të familjes së tij, të cilët kanë përfituar nga këto abuzime.
Në kërkesën e saj, Kalaja ka kërkuar nga SPAK ndërmarrjen e veprimeve urgjente për të hetuar këto shkelje, duke përfshirë hetimin pasuror të të kallëzuarve dhe mbrojtjen e dëshmitarëve nga intimidimet e mundshme.
Ajo thekson se këto abuzime duhet të ndalohen menjëherë, pasi po dëmtojnë interesat e qytetarëve shqiptarë dhe po krijojnë mundësi për manipulime zgjedhore. Për më tepër, Kalaja ka kërkuar që të merren masa sigurie për individët e përfshirë, për të parandaluar fshehjen e provave dhe ndërhyrjen në hetime.
Marrë nga Syri.net