KthjellKthjellKthjell
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Leximi: Përplasja e Ramës me drejtësinë shkatërron iluzionet mbi demokracinë në Shqipëri
Share
Njoftim Shfaq më shumë
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
KthjellKthjell
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
  • Editorial
  • Politike
  • Bota
  • Ekonomi
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Kthjell > Blog > Editorial > Analize > Përplasja e Ramës me drejtësinë shkatërron iluzionet mbi demokracinë në Shqipëri
AnalizeFokusKryesoreOpinionPolitike

Përplasja e Ramës me drejtësinë shkatërron iluzionet mbi demokracinë në Shqipëri

Përditësimi i fundit: 24 Mars, 2026 11:06 am
109 Shikime
Share
10 Min. Leximi
SHARE

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur për shqiptarët si SPAK-u, ka qenë për vite me radhë institucioni më i besuar në vend.

E krijuar në vitin 2019, gjatë mandatit të dytë të Partisë Socialiste të Edi Ramës, nën kujdesin e komunitetit ndërkombëtar, ajo kishte një qëllim – të luftonte korrupsionin kronik që prekte nivelet më të larta të qeverisë së Shqipërisë.

Misioni i saj, në terma popullorë, ishte të kapte dhe të nxirrte në gjyq “peshqit e mëdhenj”. Dhe këtë e bëri, në një nivel që shumica e shqiptarëve nuk do ta kishin imagjinuar.

Politikanë që më parë konsideroheshin “të paprekshëm”, përfshirë ish-presidentë dhe ish-kryeministra, ministra dhe zëvendëskryeministra, kryetarë bashkish të rëndësishëm dhe deputetë të Partisë Socialiste në pushtet, u akuzuan dhe u arrestuan. SPAK-u u bë, pa dyshim, institucioni më popullor në Shqipëri.

Dukej sikur Shqipëria kishte hyrë më në fund në një epokë të vërtetë të luftës kundër korrupsionit. Edhe Partia Socialiste në pushtet dhe lideri i saj, Edi Rama, ofronin mbështetje të fortë publike për SPAK-un, i cili kishte zbuluar nivele shqetësuese korrupsioni dhe kapjeje të shtetit në nivelet e larta të qeverisë së tij.

Kjo deri në momentin kur SPAK-u nisi të hetonte dhe të ngrinte akuza ndaj Belinda Ballukut, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, zëvendëskryeministre, krahu i djathtë dhe bashkëpunëtorja më e afërt e Ramës. Në rastin e saj, Rama bëri një kthesë 180 gradë, duke luftuar kundër SPAK-ut në çdo hap.

Kur SPAK-u e pezulloi Ballukun nga posti i saj ministror pasi e akuzoi për shkelje proceduriale dhe favorizim në procese të mëdha tenderimi publik, Rama refuzoi ta zbatonte vendimin. Në vend të kësaj, ai i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të vendoste nëse vendimi i SPAK-ut ishte kushtetues apo jo. Kjo u pa gjerësisht si një lëvizje për ta mbajtur Ballukun në detyrë pavarësisht shqetësimeve të SPAK-ut se ajo mund të përdorte pozicionin e saj për të penguar procesin hetimor, si dhe pavarësisht thirrjeve publike që ajo të jepte dorëheqjen.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Ballukut kishte qenë prej kohësh e përfshirë në skandale që çuan në arrestimin e bashkëpunëtorëve të saj të afërt. Mesazhe të shumta në ËhatsApp të publikuara në media, vërtetësia e të cilave nuk u kundërshtua as nga ajo dhe as nga qeveria, sugjeronin se ajo kishte ndërhyrë në dhënien e tenderëve publikë – megjithëse ajo mohon çdo shkelje.

Megjithatë, Rama këmbënguli që ajo të qëndronte në detyrë deri sa Gjykata Kushtetuese të jepte vendimin e saj.

Shumica socialiste bllokon arrestimin

Pasi Gjykata Kushtetuese refuzoi të heqë pezullimin e Belinda Ballukut nga SPAK-u, Edi Rama ndërmori një hap për të ndaluar arrestimin e saj, duke deklaruar se grupi parlamentar socialist, që është nën ndikimin e tij, nuk do ta miratonte automatikisht kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit parlamentar të saj, siç kishte bërë më parë me deputetë të tjerë socialistë.

Më 12 mars, shumica socialiste në parlament refuzoi, siç pritej, të hiqte imunitetin e Ballukut, duke bllokuar arrestimin e saj.

Ky vendim shënoi një rast të qartë të përdorimit të pushtetit politik për të mbrojtur zyrtarë të lartë të akuzuar për korrupsion. Ishte pikërisht fenomeni për të cilin SPAK-u ishte krijuar për ta kapërcyer, nën këmbënguljen, udhëzimin dhe monitorimin ndërkombëtar.

Nuk është çudi që ky ndryshim qëndrimi nga ana e Ramës shkaktoi zhgënjim dhe skepticizëm të madh jo vetëm në Shqipëri, por edhe brenda institucioneve ndërkombëtare, si Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe ambasada të ndryshme evropiane, të cilat kritikuan vendimin e tij për të refuzuar kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit parlamentar të Ballukut.

Nga ana e tij, Rama e paraqiti këtë vendim si një mosmarrëveshje normale institucionale midis sistemit të drejtësisë, të përfaqësuar nga SPAK-u, dhe parlamentit si një institucion sovran që ushtron të drejtën e tij themelore kushtetuese.

Parlamenti është një trup sovran, jo një vulë formale e SPAK-ut, deklaruan Rama dhe zëdhënësit e tij, duke marrë rolin e mbrojtësve të sovranitetit parlamentar.

Megjithatë, sado tërheqëse të tingëllojë kjo retorikë, ajo nuk i përshtatet një kryeministri që tashmë e ka kthyer shumicën parlamentare socialiste në një vulë personale të tij. Fjalët për sovranitet parlamentar tingëllojnë jo bindëse kur vijnë nga një njeri që de facto e ka shndërruar parlamentin në një zgjatim të vullnetit të tij personal.

Argumentet e Ramës kundër heqjes së imunitetit të Ballukut nuk kanë bindur as disa nga mbështetësit e tij në media. Deputetët socialistë nuk kanë ofruar asnjë argument politik se pse arrestimi i saj do të dëmtonte integritetin dhe autonominë e parlamentit. Nuk janë ngritur akuza ndaj SPAK-ut se kërkesa për arrestimin e Ballukut ishte e motivuar politikisht apo antikushtetuese.

Në vend të kësaj, grupi parlamentar socialist ofroi një mbrojtje si avokat për Ballukun, duke sfiduar provat e paraqitura në çështjen e saj dhe atë që e quajti disproporcionalitet midis akuzave për shkelje administrative dhe vendimit të SPAK-ut për arrestimin e saj. Kjo e vendosi Ramën në një pozitë paradoksale, si gjykatës dhe njëkohësisht palë në këtë çështje.

Duke arritur në përfundimin se arrestimi i Ballukut ishte i pajustifikuar, duke pasur parasysh provat dhe akuzat e ngritura nga SPAK-u, Rama dhe grupi i tij parlamentar morën atributet e një gjykatësi, ndërkohë që ishin njëkohësisht mbrojtësit më të zëshëm të të pandehurës.

Një mbrojtje kaq këmbëngulëse e Ballukut, pavarësisht skandaleve të mëdha që lidhen me ministrinë e saj – dhe në kontrast me sjelljen e Ramës në raste të tjera të ngjashme – ka ngritur dyshime se, më shumë sesa parime parlamentare, Rama po mbronte Ballukun si person, në mos edhe veten e tij.

Këto dyshime forcohen nga fakti se shkeljet e pretenduara të Ballukut, nëse provohen, mund të kenë potencialin të rrëzojnë edhe vetë kryeministrin.

Ndalimi i SPAK-ut dëmton llogaridhënien

Për shumë njerëz në Shqipëri, përplasja e fundit midis Edi Ramës dhe SPAK-ut u ndje si fillimi i fundit të një epoke – një epokë që kishte ngjallur shpresa se edhe të fuqishmit mund të mbaheshin përgjegjës.

Vendimi i Ramës, dhe ai i grupit të tij parlamentar të nënshtruar, për të ndalur SPAK-un në vend, nuk premton asgjë të mirë as për demokratizimin e Shqipërisë dhe as për procesin e integrimit në BE.

Demokracia shqiptare tashmë është zbrazur nga çdo substancë demokratike, si përfaqësimi, zgjedhja politike apo pjesëmarrja. Si pasojë, demokracia është bërë pothuajse sinonim me luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit.

Qeveria e Ramës mund të ketë ofruar pak në aspektin e pjesëmarrjes, transparencës dhe përfaqësimit, ndërsa ai e dobësoi Partinë Socialiste dhe centralizoi pushtetin, por gjithsesi u krijua një iluzion demokracie përmes llogaridhënies politike që vinte nga SPAK-u.

Ky iluzion tani po shpërbëhet, si për shqiptarët ashtu edhe për institucionet e BE-së që monitorojnë vendin. Në realitetin e zymtë politik shqiptar, ku një opozitë e diskredituar e drejtuar nga një lider i përhershëm përballet me një qeveri të zhytur në korrupsion, e drejtuar nga një kryeministër i përhershëm, SPAK-u dhe sukseset e tij kundër korrupsionit ishin një rreze shprese.

Bashkimi Evropian është mbështetur fort te suksesi i fushatës kundër korrupsionit në nivele të larta në Shqipëri, të udhëhequr nga SPAK-u, si një shembull i konsolidimit të shtetit të së drejtës në vend. Sukseset e SPAK-ut hapën një rrugë të ngushtë që dukej se legjitimonte integrimin e Shqipërisë në BE.

BE-ja mund të ketë qenë në gjendje të injorojë dështimet e tjera demokratike nën qeverinë Rama – dobësimin e rolit të parlamentit, përqendrimin e të gjitha pushteteve ekzekutive, lokale dhe qendrore, në duart e kryeministrit, mungesën e transparencës në qeverisje, madje edhe “kapjen” e shtetit nga interesa private dhe kriminale – duke u fokusuar te sukseset e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit.

Nëse këto suksese marrin fund, dështimet demokratike të Shqipërisë do të bëhen aq të mëdha saqë edhe vetë BE-ja nuk do të mund t’i injorojë më.

 

Marrë nga BIRN

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Investimet Publike me fondet e huaja: Rënia më e fortë që nga viti 2015

Informatori i CIA-s: “Fauci fshehu qëllimisht të vërtetën mbi origjinën e Covid-it”

Vijon kaosi me pronat, mbi 27 mijë vendime ende të paregjistruara

Inteligjencë Artificiale kundër plagjiaturës, Universiteti i Tiranës hap tenderin 5.9 mln lekë

Turi Çiklistik paralizon 5 ditë Tiranën

Share This Article
Facebook Twitter Whatsapp Whatsapp LinkedIn Telegram Kopjo lidhjen Print
Share
Artikulli i mëparshëm 336 milion lekë për shëtitoren Taulantia në Durrës
Artikulli tjetër Vendet e Ballkanit ndërmarrin masa për të zbutur rritjen e çmimeve të naftës

Na ndiqni në rrjetet sociale

FacebookLike
InstagramFollow
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image

Më të fundit

Pse të specializuarit kanë më pak shanse në punë?
Aktuale Analize Kryesore Opinion Sociale 15 Maj, 2026
Bordi i Transparencës njofton çmimet e reja të karburanteve
Aktuale Analize Fokus Kryesore Sociale 15 Maj, 2026
Mesazhet zbulojnë punën e përditshme dhe dramat e një organizate ndërkombëtare të kokainës
Analize Fokus Kryesore Opinion Sociale Zhvillim 15 Maj, 2026
Prangoset Marcel Liçaj, korrier i drogës në vendet e BE
Aktuale Fokus Kryesore Sociale 15 Maj, 2026
//

Kthjell është revista juaj online e lajmeve që ofron përmbajtje tërheqëse dhe informuese për çdo interes. Qëndroni të përditësuar me zhvillimet më të fundit në teknologji dhe shkencë, merrni frymëzim për dizajnin dhe dekorimin e ambienteve, dhe përmirësoni jetën tuaj me këshilla të ekspertëve për mirëqenien personale. Zhytuni në botën e pasur të artit dhe kulturës, eksploroni destinacione të reja udhëtimi dhe mësoni shumë më tepër. Kthjell është porta juaj për të zbuluar, për t’u informuar dhe për t’u frymëzuar çdo ditë. Bashkohuni me ne në këtë udhëtim të vazhdueshëm eksplorimi dhe zbulimi.

KthjellKthjell
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.