Ka ndërruar jetë në burgun e Fierit Ardjan Malasi, i cili u arrestua me 26 tetor të vitit 2023, si pjesë grupit që pastruan 1.25 milionë eurove nga trafiku i drogës në Belgjikë.
Dyshohet se ai ka pësuar hemoragji cerebrale brenda dhomës ku qëndronte i izoluar. Ai u dënua me 8 vite burg për kryerjen e veprës penale “Pastrim i produktit të veprës penale së veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Ai u transferua nga burgu “Jordan Misja” në Tiranë drejt burgut të Fierit me 16 korrik të këtij viti, ku do të kryente edhe 3 vitet e tjera të dënimit.
Por si funksiononte skema?
Sipas SPAK, nga viti 2010 deri në 2023, vëllezërit Besjan dhe Leonard Ramaj së bashku me të njohurin e tyre Ardjan Malasin kanë kryer veprime sistematike, të vazhdueshme të kundërligjshme me qëllim pastrimin e të ardhurave që kanë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal, përmes investimit në pasuri të paluajtshme, kryerjes së veprimeve për shitblerje dhe transferim në vazhdimësi të pronësisë, si dhe përmes lëshimit të faturave fiktive nga shoqëritë tregtare të tyre për qëllime të justifikimit të burimit të ligjshëm. Për të realizuar planin e tyre, ata janë ndihmuar nga ish-zyrtarja Dashi, e cila sipas SPAK, është përfshirë në disa veprime të kryera pas vitit 2018, në bashkëpunim me të pandehurit Besjan Ramaj dhe Ardjan Malasi. Dashi është përfshirë në kryerje të veprimeve juridike haptazi fiktive, si dhe në veprime të tjera të kryera gjatë investimit në pasuri të paluajtshme të të ardhurave që dihet që kanë origjinë të paligjshme apo veprime të tjera juridike të kryera në lidhje me to. Shuma totale e pastrimit të parave të përfituara nga aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar është 1,250,000 euro dhe 9,000,000 lekë.
Marrë nga Zëri.al