Peter Magyar, kryeministri i ardhshëm i mundshëmi Hungarisë, ka paraqiturdisa nga ndryshimet politike që mund të presë Hungaria gjatë konferencës së tij të parë të madhe të shtypit, që nga momenti kur partia e tij, Tisza, i dha fund qeverisjes 16-vjeçare të Fidesz-it të Viktor Orbánit.
Një nga faktorët që e çuan Magyar-in drejt fitores ishte premtimi i tij për t’u distancuar nga Rusia dhe për ta përmbysur skepticizmin e paraardhësit të tij ndaj BE, veçanërisht tani që Budapesti përballet me vështirësi financiare dhe ka nevojë urgjente për fonde të BE.
“Nëse Vladimir Putin telefonon, do ta ngre telefonin,” u tha ai gazetarëve të hënën (13.04.2026). “Ndoshta do të ishte një telefonatë e shkurtër dhe nuk mendoj se ai do ta ndalojë luftën për shkak të këshillës sime.” “Rusia mbetet një rrezik për sigurinë,” shtoi ai.
Peter Kreko, politolog hungarez, i tha DW-së se me Magyar-in, “Hungaria nuk do të jetë më kali i Trojës i Rusisë brenda Bashkimit Evropian ose NATO-s”.
SHBA mbetet e rëndësishme pavarësisht problemeve me Trumpin
Magyar-i tha se nuk kishte plane t’i telefononte Presidentit të SHBA, Donald Trump, i cili e ka mbështetur hapur Orbánin — madje dërgoi Zëvendëspresidentin JD Vance për të bërë fushatë për të. Në të njëjtën kohë, kreu i partisë Tisza tha se SHBA mbetet “një aleat i rëndësishëm”
Ai gjithashtu premtoi të luftojë korrupsionin dhe të propozojë një amendament kushtetues për të parandaluar rikthimin e Orbanit në pushtet.
Qeveritë e njëpasnjëshme të Orbanit janë akuzuar për kufizimin e lirive të medias, të gjyqësorit dhe të procesit zgjedhor.
“Do të bëjmë gjithçka për të rivendosur sundimin e ligjit, demokracinë pluraliste dhe sistemin e kontrollit dhe balancave,” tha Magyar-i.
A kanë diçka të përbashkët Magyar-i dhe Orbán-i?
Fidesz dhe Tisza konsiderohen të dyja si parti konservatore dhe populiste. Megjithatë, me kalimin e viteve, Fidesz u zhvendos më tej djathtas, duke paraqitur Orbán-in si mbrojtësin e Hungarisë kundër forcave të huaja keqdashëse. Vlen të përmendet veçanërisht se Orbán-i ka penguar përsëri përpjekjet e BE për t’i ofruar ndihmë Ukrainës përballë pushtimit rus.
Të hënën, Magyar-i deklaroi se mbështeste anëtarësimin e Ukrainës në BE, por se nuk do të mbështeste anëtarësimin e saj të shpejtë në bllok.
‘Nga njëra anë, po flasim për një vend në luftë; është krejtësisht jashtë çdo diskutimi që Bashkimi Evropian të pranojë një vend në luftë,’ tha ai.
Magyar-i deklaroi se të gjitha shtetet anëtare duhet të trajtohen njësoj, dhe se do t’i duheshin garanci më të forta për të drejtat e hungarezëve etnikë në Ukrainë për të mbështetur plotësisht aplikimin e saj.
Ashtu si Orbán-i, Magyar ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj imigracionit. Sipas Peter Kreko-y, ai “theksoi se dëshironte edhe më pak imigracion në Hungari sesa qeveria e mëparshme”.
Megjithatë, Kreko nuk besonte se Orbán do të kishte shumë ndikim në Hungari në të ardhmen. “Kthimi i tij në politikë, madje edhe në plan afatmesëm ose afatgjatë, është i pasigurt,” shtoi Kreko, duke pasur parasysh se si hungarezët i perceptuan lidhjet e tij të ngushta me Rusinë.
Tisza fitoi 138 nga 199 vendet në parlamentin hungarez në zgjedhjet e së dielës, me 53 për qind të votave, ndërsa Fidesz-i siguroi 55 vende dhe vetëm 38 për qind të votave. Sapo të mblidhet Parlamenti, shumica prej dy të tretash e Tiszës pritet të zgjedhë shpejt Magyar-in si kryeministër.
Marrë nga Associated Press