Zëvendësministri polak i Mbrojtjes, Cezary Tomczyk, u tha gazetarëve se Varshava do të vendosë përgjatë kufirit me Ukrainën një zonë ndalim-fluturimi brenda territorit polak dhe u bëri thirrje edhe aleatëve të tjerë rajonalë që të ndërmarrin masa të ngjashme.
Nisma vjen pas shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore të NATO-s nga Rusia gjatë luftës së saj kundër Ukrainës.
“Një ligj përkatës po përgatitet tashmë nga qeveria dhe pritet të hyjë në fuqi në fund të dhjetorit ose në fillim të janarit”, tha Tomczyk.
“Ne do t’u bëjmë thirrje edhe aleatëve tanë të gjithë aleancës së NATO-s, që të krijojnë një zonë të tillë përgjatë krahut lindor”, shtoi ai. “Polonia ishte pioniere në këtë drejtim dhe shtetet baltike kanë ndjekur më pas shembullin tonë.”
Polonia tashmë zbaton kufizime të rrepta për trafikun ajror përgjatë kufirit të saj tha Tomczyk duke shtuar se zona e propozuar e ndalim-fluturimit do të shtrihet dhjetëra kilometra nga kufiri me Ukrainën dhe do të ofrojë mbështetje shtesë për forcat e armatosura polake.
Ushtria ukrainase goditi një bazë e rëndësishme ajrore ruse
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi se forcat ukrainase kanë goditur një bazë të rëndësishme ushtarake ajrore ruse, duke dëmtuar pesë avionë që përdoren për lëshimin e raketave dhe bombave kundër Ukrainës.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm nga sulmet u nxorën “për njëfarë kohe” jashtë funksionit tre avionë MiG-31, që përdoreshin për lëshimin e raketave hipersonike, dhe dy avionë bombardues luftarakë Su-34.
Në njoftim thuhet se baza ajrore Savaslejka, që gjendet në rajonin e Nizhni Novgorodit, në lindje të Moskës, u godit në kuadër të sulmeve të fundit me rreze të gjatë veprimi që synojnë dobësimin e përpjekjeve luftarake të Rusisë.
Marrë nga Deutsche Welle