Intervista e kryeministrit Edi Rama me gazetarin amerikan Andrew Callaghan për platformën “Channel 5” është publikuar e plotë, pasi më herët ishte raportuar për ndërprerjen e papritur të saj nga kreu i qeverisë.
Gjatë bisedës, gazetari e ka pyetur Ramën për protestat në Tiranë, korrupsionin, pastrimin e parave dhe aktivitetin e grupeve kriminale shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
I pyetur për të ashtuquajturin “Revolucioni Flamingo”, Rama i cilësoi protestat si një e drejtë demokratike dhe tha se qeveria ka mbajtur shënime për shqetësimet e qytetarëve, duke shtuar se disa prej tyre kanë nisur të zbatohen.
Më pas, diskutimi u përqendrua te krimi i organizuar dhe trafiku ndërkombëtar i drogës. Përballë raportimeve të DEA-s dhe SPAK-ut, Rama hodhi poshtë ekzistencën e një “mafia shqiptare”, duke i cilësuar këto pretendime si të pavërteta.
Ai kundërshtoi gjithashtu interpretimin e të dhënave mbi paratë me burim të dyshuar kriminal që qarkullojnë në sektorin e ndërtimit dhe atë imobiliar.
Një tjetër moment i tensionuar ishte diskutimi për korrupsionin në radhët e zyrtarëve të lartë, ku Callaghan ngriti rastin e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, dhe lidhjet e dyshuara me Ergys Agasin.
Rama shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke kundërshtuar mënyrën se si gazetari po lidhte çështjet dhe duke deklaruar se nuk i takonte atij të përcaktonte se kush është i korruptuar.
Intervista u shoqërua gjithashtu me pyetje mbi marrëdhëniet e Ramës me Jared Kushner dhe projektet e investimit në bregdetin shqiptar, tema që më herët ishin raportuar si shkak i tensioneve dhe ndërprerjes së bisedës.
Marrë nga Dosja.al