Kryeministri Edi Rama, i ka përcjellë një letër presidentit amerikan Donald Trump, ku e falenderon për ftesën që i ka bërë Shqipërisë, për të qenë pjesë e Bordit të Paqes. Rama thotë se e ka pritur ftesën me kënaqësi, ftesë e cila do t’i paraqitet për miratim edhe Kuvendit. Rama shkruan në letrën e tij, se është “duke pritur me interes të kontribuoj në suksesin e misionit të Bordit të Paqes, ju lutem pranoni, Zoti President dhe Kryetar i Bordit, shprehjen e konsideratës sime më të lartë…”.
Bordi i Paqes pritet të përfshijë liderë ndërkombëtarë dhe figura kyçe globale, me synimin për të trajtuar si pasojat e menjëhershme të konflikteve, ashtu edhe shkaqet e thella strukturore që prodhojnë paqëndrueshmëri.
Angazhimi i Shqipërisë në këtë strukturë, sipas Kryeministrit Rama, përbën një nder dhe një përgjegjësi për vendin në skenën ndërkombëtare.
REAGIMI I RAMËS NË X
Sot i përcolla Presidentit Donald J. Trump përgjigjen e ftesës së tij për të marrë pjesë në Bordin e Paqes. Së shpejti ky angazhim do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë për miratim. #KrenarpërShqipërinë
Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente.
Marrë nga Zëri.al