Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot, seancën plenare ku në fokus do të jenë diskutimet dhe shqyrtimi në parim i projektbuxhetit për vitin 2027, si dhe i Paketës Fiskale.
Seanca pritet të shoqërohet me debate politike, ndërsa Partia Demokratike do të jetë e përfaqësuar me një numër më të vogël deputetësh, për shkak të përjashtimit të 12 ligjvënësve. Mes tyre janë edhe kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, dhe sekretari i Përgjithshëm, Flamur Noka.
Sipas Berishës, projektbuxheti favorizon një grup të kufizuar përfituesish, ndërsa barra financiare bie mbi qytetarët dhe sipërmarrjet shqiptare.
Pas votimit në parim në Kuvend, projektbuxheti do t’u rikthehet komisioneve parlamentare për shqyrtimin nen për nen, përpara se të kalojë sërish në seancë plenare për votimin përfundimtar.
Çfarë parashikon rendi i ditës?
Përveç projektbuxhetit të vitit 2027, deputetët do të shqyrtojnë edhe disa ndryshime në legjislacionin fiskal, që prekin tatimin mbi të ardhurat, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.
Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu ndryshimet në ligjin për strehimin social, një vendim për Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, si dhe diskutimet për çështje jashtë rendit të ditës.
Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 29 tetorit 2026, për të vijuar më pas me njoftimet dhe shqyrtimin e projektligjeve të parashikuara.
Rendi i ditës së seancës plenare:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 29.10.2026.
2. Njoftime.
3. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 29/2023, ‘Për tatimin mbi të ardhurat’, të ndryshuar”.
4. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
5. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, ‘Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
6. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, ‘Për taksat kombëtare’, të ndryshuar”.
7. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 61/2012, ‘Për akcizat në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
8. Projektligji “Për buxhetin e vitit 2027”.
9. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 22/2018, ‘Për strehimin social’, të ndryshuar”.
10. Projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin nr. 169/2026 të Kuvendit ‘Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë’”.
Marrë nga Top Channel