Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë, pasi Gjykata Kushtetuese riktheu në detyrë Erion Veliaj si kryebashkiak i Tiranës, duke rrëzuar vendimin e qeverisë që e shkarkoi. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Rama shprehet se ky vendim i gjykatës, tregon qartë se ai nuk i ka kapur të tëra pushtetet në vend.
Ndër të tjera, Kryeministri thekson se meqë Veliaj nuk u shkarkua, ai duhet të lirohet, pasi kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë. Sipas tij mbajtja e Erion Veliajt në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave të tij, por edhe në dëm të popullit të Tiranës.
Reagimi i Edi Ramës:
Disa rrjedhime logjike nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese:
1. Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë apo jo
2. Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo
3. Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo
Pika 1 dhe 2 janë të sigurta, pika 3 mbetet për t’u parë, ndërkohë le të urojmë që kushdo ka në dorë ta ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të kujtohet se kryeqytetu nuk mund të trajtohet si jetim, për vite me radhë.
Gjykata Kushtetuese ka rikthyer në detyrë ditën e djeshme kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Në vendimin e GJK-s, thuhet se Qeveria ka shkelur të drejtën kushtetuese të Veliajt për një proces të rregullt ligjor, pasi ai nuk është njoftuar dhe nuk është dëgjuar përpara vendimit për shkarkim. Gjykata nënvizon se këto janë garanci themelore që çdo organ publik duhet t’i respektojë.
Më tej në vendimin e GJK, thuhet se shkarkimi i një kryetari bashkie, si organ i zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët, mund të bëhet vetëm në rast të shkeljeve të rënda të Kushtetutës ose të ligjit, gjë që nuk është provuar në rastin konkret. Në arsyetim thuhet se Këshilli i Ministrave nuk ka justifikuar se Veliaj ka kryer një shkelje të tillë të rëndë që të legjitimojë largimin e tij nga detyra.
Në vendim Gjykata thekson se procesi i rregullt kërkon përmbushjen e garancive procedurale të individit, të cilat përbëjnë detyrim të organeve publike që realizojnë procesin dhe në asnjë rast nuk mund të zhvendoset barra nga këto organe te individi. Pra, vetëm marrja dijeni për datën e mbledhjes së këshillit bashkiak nuk çliron organin publik për të garantuar të gjitha detyrimet si më sipër. Po ashtu në vendimin e GJK thuhet që Neni 115 i Kushtetutës qendron më lart se ligji për veteqevrisjen vendore dhe se kryetari i bashkisë mund të shkarkohet vetëm për shkelje te rënda.
Marrë nga Dosja,a.