Tetëmbëdhjetë muaj pa një takim të nivelit të lartë – dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur në vendnumëro. Me të dyja vendet të përfshira nga sfidat e brendshme, marrëveshja përfundimtare duket e largët. Analistët argumentojnë se bashkësia ndërkombëtare duhet të shtyjë përpara njohjen reciproke mes tyre, jo thjesht normalizimin e marrëdhënieve, dhe të ketë një plan B nëse dialogu dështon.
Vizita e parë e Peter Sorensenit në Prishtinë, si i dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, erdhi në një moment kur ky proces nuk duket se është në agjendën e dikujt.
Në Kosovë, vëmendja mbetet te çështjet paszgjedhore, ndërsa Serbia përballet me protesta dhe trazira të brendshme.
Pavarësisht këtyre, mesazhi i emisarit evropian ishte i qartë: dialogu duhet të vazhdojë.
“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kompromis a jo, iu takon palëve për ta përcaktuar. Dialogu është për këtë dhe këtë jemi duke e bërë që nga viti 2011”, tha Sorensen më 17 mars në Prishtinë.
Udhëheqësit, ndërkohë, kanë ndërruar në Bruksel, në Prishtinë e në Beograd, por, njësoj, ka ndërruar edhe narrativi. Nëse dikur flitej për njohjen e ndërsjellë si qëllim kryesor, tani flitet vetëm për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Sorensen, pasi takoi krerët shtetërorë të Kosovës, theksoi nevojën për të vazhduar dialogun, por tha se do që t’i dëgjojë të dyja palët, përpara se të vendosë për hapat e ardhshëm.
“Qëllimi është që të vazhdojë procesi dhe të ecet përpara. Unë kam diskutime këtu në Prishtinë, por më duhet të shkoj edhe në Beograd. Pasi t’i zhvilloj këto biseda, do të ulem dhe të shoh se ku jemi”, tha Sorensen.
Dy palët nuk duket se janë askund afër. Bisedime të nivelit të lartë mes tyre nuk ka pasur qysh në shtator të vitit 2023.
Më 14 të atij muaji, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar në Bruksel, me ndërmjetësimin e udhëheqësve të atëhershëm evropianë, Josep Borrell dhe Mirosllav Lajçak.
Dhjetë ditë pas atij takimi ka ndodhur sulmi i armatosur në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh kanë vrarë një polic të Kosovës.
Pas takimit me Sorensenin, edhe Kurti, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kanë pasur një sërë kërkesash për të: nga heqja e masave ndëshkuese të BE-së kundër Kosovës deri te dorëzimi i grupit që ka sulmuar Banjskën tek autoritetet e Kosovës.
Për vëzhguesit e procesit të dialogut, topi, në fakt, është në fushën e BE-së. Ata thonë se është koha që ky bllok të fokusohet te një qëllim specifik, që është njohja e ndërsjellë mes dy vendeve, pasi, sipas tyre, kjo është zemra e problemit dhe kjo duhet të adresohet direkt.
Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në LSE IDEAS – Shkolla e Londrës për Ekonomi, flet më shumë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:
“Është vërtet e rëndësishme që njohja e ndërsjellë të vihet në ballë të këtij dialogu, sepse ideja e normalizimit është shumë e papërcaktuar. Nëse nuk keni një qëllim të qartë, ju as nuk përpiqeni të arrini diçka specifike”.
“Ndaj, mendoj se Sorensen duhet ta vendosë këtë qëllim përpara, që të mund t’i lëvizë palët në një drejtim të caktuar dhe ta zgjidhë këtë konflikt njëherë e përgjithmonë”, thotë Hartwell.
Për këtë asociacion ka një marrëveshje qysh në vitin 2013, porse Kosova – pavarësisht trysninë ndërkombëtare – nuk e ka zbatuar kurrë, nga frika se një mekanizëm i tillë, me kompetenca të gjera, do të mund të ndikonte në funksionalitetin e shtetit.
Presidentja Osmani tha këtë javë se drafti, si i tillë, nuk do të merrte dritë jeshile nga Gjykata Kushtetuese e vendit.
“Unë, personalisht, besoj se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nuk është në përputhje as me vlerat dhe normat e Bashkimit Evropian dhe standardet e Këshillit të Evropës, e as me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015″, tha Osmani.
“Ekziston një perceptim i fortë se Asociacioni do të ndihmonte në përparimin e dialogut, por unë jam shumë skeptik për këtë. Një opsion ndoshta për Kosovën do të ishte që të prezantonte një version të zbutur të Asociacionit dhe, në njëfarë mënyre, ta zbatonte atë, vetëm për t’i heshtur kritikët”.
“Por, theksoj se zbatimi i Asociacionit me kompetenca të forta ekzekutive do të bëhej mjaft problematik për Kosovën”, thotë Hartwell.
Kurt Bassuener, nga Këshilli për Politikën e Demokratizimit në Berlin, thotë se Bosnje e Hercegovina, për shkak të organizimit të brendshëm që ka, ka mbetur çështje e hapur prej dekadash. Nuk e përjashton mundësinë që edhe kontesti mes Kosovës dhe Serbisë të mbetet i tillë, ndaj sugjeron që të gjitha palët t’i kthehen qëllimit të deklaruar fillestar: njohjes së ndërsjellë.
“Askush nuk flet më për njohje të ndërsjellë. Të gjithë flasin për një normalizim dhe kjo nuk është në interesin e Kosovës, e do të thosha se nuk është as në interesin e një Serbisë demokratike”, thotë Bassuener.
Në vazhdën e ndryshimeve të shpejta gjeopolitike, ai thotë se Ballkani Perëndimor në përgjithësi është një rajon ku BE-ja ka potencial të madh për të ndikuar në stabilizimin e situatës dhe çështja e Kosovës dhe Serbisë, sipas tij, është thelbësore për këtë stabilitet.
“Shpresoj të ketë një rivlerësim dhe riorganizim të politikave nga Bashkimi Evropian. Nuk shoh ende asnjë provë për këtë – as në institucionet e BE-së dhe as në shtetet anëtare – edhe pse duhet kohë më e gjatë për ta kthyer anijen në drejtim tjetër”.
“Është e kuptueshme që janë fokusuar në atë se si t’i ndihmojnë ukrainasit, nëse amerikanët tërhiqen, si ta mbrojnë veten në mënyrë legjitime… Këto janë prioritete, por Ballkani Perëndimor është i vetmi vend në botë ku BE-ja mund të jetë vërtet vendimtare”, thotë Bassuener për Exposenë.
Hartwell thotë se Perëndimi duhet të ketë një plan të qartë B nëse dialogu dështon.
“Një nga zgjidhjet mund të jetë që pesë shtetet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta njohin atë. Sepse, në atë rast, Serbia nuk mund të thotë se çështja e njohjes së Kosovës është ende në ajër. Asaj do t’i duhej të merrej me një Kosovë që njihet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Dhe, nëse vërtet dëshiron të anëtarësohet në BE, Serbia do të duhet të punojë brenda kësaj kornize”, thotë Hartwell.
Ndaj, analistët thonë se fokusi i Kosovës duhet të jetë te ruajtja e mbështetjes dypartiake në Uashington.
Sipas Hartwellit, vendi duhet të pozicionet si një partner i besueshëm, sidomos në çështjet e sigurisë dhe ekonomisë, si dhe të rrisë bashkëpunimin me SHBA-në në fushën e energjisë dhe mbrojtjes.
Viteve të fundit, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, është përballur me kritika të herëpashershme nga zyrtarët amerikanë, për shkak të disa veprimeve në veri të vendit, të cilat i kanë cilësuar si të pakoordinuara dhe me ndikim të keq te komuniteti serb.
Kontakti i fundit i ditur, që Kosova ka pasur me Shtëpinë e Bardhë, ka qenë një letër që presidenti Trump i ka dërguar presidentes Osmani, me rastin e 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, në muajin shkurt.
Në atë letër, Trump është zotuar për zgjerimin e lidhjeve me Kosovën dhe nuk e ka përmendur fare dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Me Kosovën ende pa qeveri të re, pas zgjedhjeve të shkurtit, dhe me protestat e vazhdueshme në Serbi, e vetmja gjë që lëviz me siguri përpara, është kalendari.
Marrë nga Radio Evropa e Lirë