Autoritetet e drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në alert pas sulmit me kamion natën e ndërrimit të viteve, që la pas 10 të vdekur e 35 të plagosur.
Presidenti amerikan, Joe Biden, e cilësoi incidentin të tmerrshëm, ndërsa bëri thirrje për zbardhje sa më shpejt të ngjarjes.
Ndërkohë, për sulmin terrorist reagoi edhe Presidenti i zgjedhur, Donald Trump, i cili shprehu mbështetje për qytetin e Nju Orleans dhe të gjithë ata që po hetojnë tragjedinë.
“Zemrat tona janë me të gjitha viktimat e pafajshme dhe të dashurit e tyre, duke përfshirë oficerët e guximshëm të Departamentit të Policisë së New Orleans”, tha Trump në një postim në Truth Social, duke shtuar se “Shkalla e krimit në vendin tonë është në një nivel që askush nuk e ka parë më parë”.
Po ashtu, dëshmitarët okularë rrëfyen tmerrin e përjetuar, teksa kamioni hyri mes turmës që po festonin natën e Vitit të Ri. Dëshmitarët thanë për CNN se “barrikadat mekanike të çelikut nuk ishin ngritur, kur ndodhi sulmi me kamion”.
Barrikadat e çelikut u instaluan në vitin 2017, pas sulmit terrorist me kamion që ndodhi në vitin 2016 në Nice të Francës, që iu mori jetën dhjetëra qytetarëve të pafajshëm.