Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë janë në “fazat e tyre përfundimtare”, ndërsa e priti në takim të dielën në Florida presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Trumpi është takuar me presidentin e Ukrainës jashtë rezidencës së tij në Mar-a-Lago teksa ka pretenduar se të dyja palët ndërluftuese ishin afër një marrëveshjeje.
Ai madje ka shtuar se marrëveshja mund të arrihet brenda pak javësh.
Trumpi ka vlerësuar Zelenskyn, duke thënë se “ky zotëri ka punuar shumë dhe është shumë i guximshëm, dhe njerëzit e tij janë shumë të guximshëm”.
“Mendoj se kemi të gjitha kushtet për një marrëveshje. Kemi dy vende të gatshme. Jemi në fazat e fundit të bisedimeve”, është shprehur presidenti amerikan.
Ndërkohë, Trumpi ka deklaruar se çështja e Donbasit nuk është zgjidhur ende.
Temat kryesore të bisedimeve përfshijnë garancitë e sigurisë për të parandaluar Rusinë të sulmojë përsëri, mirëpo presidenti amerikan ka thënë se beson se Putini është serioz për paqen.
“Ata do të ndihmojnë. Rusia dëshiron ta shohë Ukrainën të ketë sukses”, ka deklaruar ai.
Lideri amerikan po ashtu ka thënë se një takim trepalësh SHBA-Ukrianë-Rusi mund të ndodhë në momentin e duhur.
Marrë nga Associated Press