Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar të dielën me veprime ushtarake kundër Qeverisë së Kolumbisë, duke u thënë gazetarëve se një operacion i tillë i duket mirë.
I pyetur drejtpërdrejt nëse SHBA-ja do të ndërmarrë një operacion ushtarak të ngjashëm me atë në Venezuelë të shtunën kur arrestoi presidentin Nicolas Maduro dhe bashkëshorten e tij Cilia Flores, Trump u përgjigj: “Më duket mirë”.
Maduro dhe Flores do të paraqiten sot para gjykatës në New York, ndërsa po akuzohen për narkoterrorizëm.
Trumpi ka thënë se SHBA-ja mund t’i kthehet sërish aksionit ushtarak në Venezuelë në rast se sjellja e Venezuelës nuk është e duhur.
Ai ka thënë se shumë kubanë janë vrarë në sulmin e SHBA-së në Karakas, duke shtuar se një intervenim ushtarak në Kubë nuk është i nevojshëm “pasi ishulli po bie vet”.
E më pas paralajmëroi Meksikën, duke thënë se vendi “duhet të marrë masa, sepse po qarkullon droga nëpër Meksikë dhe duhet bërë diçka”.
Ai e përshkroi presidenten e Meksikës, Claudia Sheinbaum, si një “person të mrekullueshëm” dhe tha se ka ofruar të dërgojë trupa amerikane në Meksikë sa herë që ka folur me të.