15 familjet që mbetën pa banesa pas shpërthimit të bombolës së gazit në një pallat pesëkatësh në Elbasan do të përfitojnë bonus qiraje për një periudhë njëvjeçare. Mbështetja financiare mund të zgjatet deri në momentin kur banorët të kenë mundësi të rikthehen në banesat e tyre.
Vendimi u miratua këtë të martë nga Këshilli Bashkiak i Elbasanit, me procedurë të përshpejtuar, pas përfundimit të ekspertimit të kryer nga Instituti i Ndërtimit.
Të gjitha familjet e prekura kanë nënshkruar kontratat për përfitimin e bonusit, ndërsa Bashkia ka kryer verifikimet e nevojshme për çmimet e qirave në treg, me qëllim përcaktimin e vlerës së mbështetjes. Shpenzimet do të mbulohen në bazë të legjislacionit për emergjencat civile, deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare.
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, bëri të ditur se institucionet përgjegjëse do të diskutojnë alternativat për zgjidhjen afatgjatë të situatës. Paralelisht, inxhinierët do të analizojnë gjendjen e strukturës së pallatit dhe mundësinë e kryerjes së ndërhyrjeve për rikthimin e tij në funksion.
“Sot kemi një takim pune në terren për të diskutuar cilat do të jenë alternativat që do të ndjekim. Do të kenë një mbështetje absolute. Të gjitha institucionet duhet të ndërveprojnë për zgjidhjen e problemit. Ajo ishte një tragjedi që mund të ishte më e rëndë. Dy jetë njerëzish është fatkeqësi, por duhet të shohim përpara për adresimin e të gjitha shqetësimeve të banorëve të atij pallati”, tha Demo.
Ministri nënvizoi se vendimmarrja për të ardhmen e godinës do të bazohet në raportin teknik të ekspertëve, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e dakordësisë me banorët.
“Inxhinierët do të vlerësojnë strukturën e godinës, ndërhyrjet e mundshme dhe në bazë të këtij informacioni do të shohim alternativat që kemi. Ne jemi sot për të treguar vullnetin që kjo do të marrë një zgjidhje”, u shpreh ministri.
Edhe kryebashkiaku i Elbasanit, Gledjan Llatja, garantoi se Bashkia po punon për të gjetur një zgjidhje përfundimtare për familjet që humbën banesat pas shpërthimit.
“Ne jemi këtu për t’u ardhur në ndihmë banorëve. Qëllimi ynë është të gjejmë një zgjidhje përfundimtare. Po presim raportin përfundimtar të Inspektoratit të Ndërtimit”, deklaroi Llatja.
Shpërthimi i bombolës së gazit në pallatin pesëkatësh në Elbasan shkaktoi dy viktima dhe 10 persona të plagosur. Për shkak të dëmeve të konsiderueshme në ndërtesë, banorët u evakuuan, ndërsa apartamentet e prekura mbetën jashtë përdorimit.
Marrë nga Mapo.al