Seb Ponari, shqiptari i cili prej vitesh jeton dhe punon në tokën angleze, arriti që të bënte realitet sfidën e tij të “çmendur”! Këtë të diel, pas 36 ditësh vrap nga Anglia, ai arriti që të prekte tokën shqiptare.
I riu shqiptar u prit mes duartrokitjeve në pikën e kalimit kufitar në Han të Hotit. Në një ceremoni mikpritje, Seb shpërtheu në lot kur shkeli tonën nga ku ka rrënjët e tij dhe u shpreh se këtë sfidë të realizuar me sukses ia dedikon babait të tij të ndjerë.
“Babi bën vjetorin e 10 që ka ndërruar jetë dhe thashë do ia dedikoj babit, thash do shkoj nga shtëpia ime te shtëpia e babit. Çdo gjë që i vëmë qëllim jetës nëse arsyeja nuk është e fortë ëndrra bëhet thjesht ëndërr”, tha ai mes lotëve, teksa më tej e përshkroi këtë sfidë si jo të lehtë.
“Aventurë sfiduese, por mbi të gjitha shërbyese. E kam ditur që do jetë vështirë ditën që u nisa, e kam ditur që do ketë rreziqe, por jo kaq rreziqe. Maksimumi kam menduar ndonjë gjarpër rrugës, por jo të përfundoj në një moment që u futa në errësirë në Kroaci, ishte një shkëmb dhe aty e pashë veten në rrezik. Kroaci ka qenë shteti më sfidues”, u shpreh Seb duke shtuar se sfida do të përmbyllet e gjitha ditën e nesërme, me destinacion banesën e fundit ku prehet i ati.
Në videot e publikuara në rrjetet e tij sociale, Seb ka kënduar shqip, madje është shprehur ndër të tjera se vendi ynë ka rrugë të cilat në Europë, gjatë kësaj gare, ai nuk i kishte hasur.
“Përshëndetje nga Shqipëria. Ja e bëra gjithë Europën dhe nuk kisha një rrugë kështu për këmbësorët. Rrugë për makinat, rrugë për këmbësorët edhe hapësirë atje. E mbrapa thonë që Shqipëria nuk ka rrugë.”, ka thënë ai duke vënë në dukje kështu e duke i treguar botës që vendi unë ka bërë progres.
Seb Ponari u nisa para 36 ditësh nga Cambrige, duke përshkuar 2750 km me një qëllim, për të mbërritur në vendlindjen e tij në Tropojë.
Marrë nga Newsbomb.al