Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka publikuar një tjetër audiopërgjim gjatë intervistës për Syri.TV, duke ngritur akuza për një përpjekje të dyshuar për marrjen e kontrollit mbi gazin e Delvinës.
Sipas Ahmetajt, në audiopërgjim dëgjohet biznesmeni izraelito-shqiptar Ron Yefet në komunikim me dy persona, një ukrainishtfolës dhe një rusishtfolës. Ai pretendon se këta persona janë të përfshirë në një skemë që synon “grabitjen e Delvinës” dhe kalimin e saj në favor të Yefetit.
Ahmetaj e lidhi këtë pretendim me atë që ai e quan “koncepti KAYO”, duke akuzuar se shteti krijon kompani ku pjesa shtetërore është minoritare dhe më pas aktiviteti dhe fondet publike kanalizohen drejt kompanive private.
“Bëhet fjalë për grabitjen e Delvinës me të njëjtin koncept, konceptin KAYO”, deklaroi Ahmetaj, duke pretenduar se prej më shumë se 9 muajsh po tentohet të realizohet kjo skemë.
Sipas tij, në audiopërgjim përmendet edhe nevoja për investime teknike, ndërsa ai pretendon se një nga personazhet e bisedës shprehet se nuk ka nevojë për para dhe se duhet të ndërtohet vetëm pjesa teknike.
Ish-zëvendëskryeministri paralajmëroi se do të vijojë me publikimin e materialeve të tjera, duke pretenduar se audiopërgjimi i publikuar është vetëm pjesa e parë e një serie materialesh.
Marrë nga Syri.net