Drejtuesi i ARRSH, Ami Kozeli ka folur për dëmtimin dhe bllokimin e aksit rrugor Librazhd-Pogradec.
Kozeli bëri me dije se ura e dëmtuar do të shembet. Ai theksoi gjithashtu se është vendosur ndërtimi i një rruge të re alternative përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin.
Më tej, Kozeli tha se ndikimi i reshjeve intensive dhe erozioni lumor ka çuar në një rrëshqitje masive aktive, teksa shtoi se aksi Librazhd–Prrenjas është me rëndësi strategjike dhe do të rikthehet në funksion të plotë pas sigurimit të situatës.
Ndërsa, Kreu i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho ka deklaruar se të gjitha strukturat janë në terren dhe po punohet për përmirësimin e situatës. Gjithashtu Verdho theksoi se ka pasur problematika të shtuara, pasi rreshjet e shumta kanë ndikuar në rrëshqitjet e shumta.
Ndërkohë, Ardian Bylyku nga Shërbimi Gjeologjik Shqiptar ka deklariar se arsyeja kryesore e shembjes së rrugës Librazhd-Pogradec është sasia e reshjeve të shumta të shiut dhe sipas tij, sasia e reshjeve ka qenë trefishi në krahasim me 2 vitet e mëparshme.
Gjithashtu Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako theksoi se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është në gatishmëri të plotë për përballimin e çdo situate që mund të krijohet pas shembjes së rrugës Librazhd-Prrenjas.
Çako u shpreh se një nga misionet kryesore të mbrojtjes civile është jeta dhe shëndeti i qytetarëve. Po ashtu Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja konfirmoi masat e marra pas bllokimit të aksit Librazhd-Prrenjas.
Në një konferencë për mediat, Beja u shpreh mbrëmë se, strukturat doganore kanë trajtuar me prioritet shqetësimin e bizneseve dhe pezullimin e përkohshëm të lëvizjes së mallrave dhe udhëtarëve.
Ai tha se janë ndërmarrë masa për përforcimin e kapaciteteve logjistike dhe shtimin e personelit në degët kufitare Bllatë dhe Kakavijë, me qëllim përballimin e fluksit të shtuar dhe përshpejtimin e procedurave, deri në normalizimin e situatës rrugore.
Marrë nga Dosja.al