Detaje të reja nga hetimet e SPAK kanw hedhur dritë mbi komunikimet e Ergys Agasit me Fatjon Kalluçin, shefin e laboratorit të Policisë Shkencore.
Ky i fundit dyshohet se i dërgonte Agasit fotografi dhe informacione për ekspertizën e automjetit “Land Rover Defender”, të sekuestruar në Equos Resort, ku ishin gjetur nëntë faqe dokumente sekrete të SHISH.
Agasi kërkonte të dinte hollësi për provat e sekuestruara, ndërsa Kalluçi e informonte se ato ndodheshin në laborator për ekzaminim dhe premtonte t’i siguronte edhe procesverbalin e këqyrjes.
Një tjetër emër që del në dosje është Embro Sulejmani, kryekamerieri i një lokali pranë Vilave Qeveritare në Durrës.
Ai dyshohet se ka ndihmuar Agasin gjatë arratisë, duke e transportuar me automjet dhe duke koordinuar lëvizjet e tij.
Sipas hetimeve, Sulejmani monitoronte edhe hyrje-daljet në zonën ku biznesmeni zotëron një vilë, e cila ruhet nga Garda e Republikës.
Një komunikim i zhvilluar pak orë pas arrestimit të Agasit, ku Sulejmani shprehte lehtësim që nuk ishte kapur edhe ai, ka tërhequr vëmendjen e hetuesve.
Për të është ngritur akuza për përkrahje të autorit të krimit.
Në fokus të SPAK është edhe rrjeti ndërkombëtar i kontakteve të Agasit, përfshirë komunikimet me dy shtetas izraelitë.
Prokuroria dyshon se këto lidhje mund të përdoreshin për të ndihmuar ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, të fshihej ose të largohej jashtë vendit në rast se do të lihej e lirë.
Në një prej mesazheve, Agasi i referohej Hysenit si shoqe të ngushtë, ndërsa në një tjetër fliste për një takim të pretenduar të saj dhe paraqitjen e provave kundër prokurorit.
Sipas SPAK, këto komunikime janë pjesë e elementeve që mbështesin dyshimet për rrezikun e mundshëm të arratisjes së Hysenit.
Marrë nga Dosja.al