Dritan Gjika kreu i një prej organizatave më të fuqishme kriminale shqiptare në Amerikën Latine dhe i njohur si pasardhësi i Dritan Rexhepit, i arrestuar në Dubai javën e kaluar akuzohet se ka përdorur Emiratet e Bashkuara të Arabe si qendër për pastrimin e parave të ardhura nga droga, sipas dokumenteve gjyqësore të siguruara nga OCCRP, rrjeti ndërkombëtar i gazetarëve investigativë .
Dokumentet janë pjesë e dosjes së hetimit në Ekuador, ku Dritan Gjika akuzohet për drejtimin e një organizate të fuqishme të trafikut të drogës. Gjika, 48 vjeç, u arrestua më 26 maj në qytetin e Abu Dhabit në Emiratet e Bashkuara Arabe, në bazë të një urdhër-arresti ekuadorian.
Në shkurt, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm e cilësoi Gjikën si “udhëheqësin e operacioneve të mafies shqiptare në Ekuador.” Dokumentet gjyqësore të siguruara nga OCCRP zbulojnë detaje të operacioneve të grupit, si në Ekuador, ashtu edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Prokurorët ekuadorianë e akuzojnë Gjikën dhe bashkëpunëtorët e tij se kanë përdorur disa kompani për të transportuar drogë nga vendi i Amerikës së Jugut drejt Europës, të fshehur në ngarkesa me banane. Për të pastruar fitimet e paligjshme, ata dyshohet se janë mbështetur në kompani me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe në Spanjë, thuhet në dokumente.
Provat e mbledhura nga policia dhe prokurorët ishin mjaft të forta për të bindur një gjyqtar të autorizonte një urdhër-arresti ndërkombëtar për Gjikën, në mënyrë që ai të mund të sillet në gjyq në Ekuador, tregojnë dokumentet.
Avokati i Gjikës nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Dokumentet gjyqësore përfshijnë pjesë nga komunikime të përgjuara nga autoritetet, të cilat ofrojnë një pasqyrë mbi mënyrën se si paratë dërgoheshin në banka dhe pastroheshin.
Një dokument — i njohur në Ekuador si “audiencia de vinculación a la instrucción fiscal” ku prokurorët paraqesin çështjen e tyre — përshkruan një bisedë mes Gjikës dhe një “partneri financiar të paidentifikuar”, ku diskutohet “nevoja për të lëvizur shuma të mëdha parash përmes ndërmjetësuesve”.
Dokumenti përmend gjithashtu një tjetër komunikim të përgjuar mes Gjikës dhe dikujt që punonte me një kompani në Dubai.
“Mbaji transfertat nën 50.000, që të mos alarmojmë autoritetet,” citohet të ketë thënë Gjika.
Megjithatë, autoritetet nisën të dyshojnë.
“Transaksionet në këto llogari përfshijnë depozita të parregullta, shumica në para cash, të cilat kanë ngritur flamuj të kuq për autoritetet financiare,” thuhet në dokument. “Për më tepër, janë zbuluar disa transferta drejt llogarive ndërkombëtare, gjë që ka nxitur një mbikëqyrje më të rreptë.”
Policia Kombëtare e Ekuadorit tha në një deklaratë më 26 maj se është duke ndjekur tani procesin e ekstradimit të tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe se forcat e rendit spanjolle morën pjesë në arrestimin e Gjikës.
Policia Kombëtare deklaroi gjithashtu se Gjika kishte mbërritur në Ekuador në vitin 2009 me vizë të përkohshme për vizitorë, por më pas u bë “njëri nga njerëzit më të kërkuar në vend”, duke udhëhequr një grup që trafikonte drogë në Amerikën Qendrore, Spanjë, Holandë dhe Belgjikë.
Një gjykatë ekuadoriane dënoi tetë anëtarë të këtij grupi kriminal në janar 2025 për “krimin e pastrimit të parave nga trafiku i drogës.”
Çfarë është OCCRP?
OCCRP është një rrjet ndërkombëtar gazetarësh investigativë që dokumenton dhe ekspozon krimin e organizuar dhe korrupsionin në mbarë botën, veçanërisht në vende ku shtypi i lirë është i kufizuar ose i rrezikuar. Ai bashkëpunon me media lokale dhe ndërkombëtare për të publikuar hetime të thella që shpesh përfshijnë trafik droge, pastrim parash, rrjete mafioze, politikanë të korruptuar dhe kompani offshore.
Shembuj të punës së OCCRP përfshijnë skandalin “Pandora Papers”, hetime mbi mafien ballkanike, si dhe rrjete ndërkombëtare që operojnë në Amerikën Latine, Lindjen e Mesme dhe Europë.
Marrë nga Syri.net