Agjencia e Sigurimit të Depozitave ka përgatitur projektligjin që parashikon rritjen e kufirit ligjor të sigurimit të depozitave në gjashtë milionë lekë. Në një fazë të dytë, në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ky kufi do të rritet më tej në nivelin e 100 mijë eurove, duke u njehsuar me vlerën e parashikuar në legjislacionin komunitar.
Me ligjin aktual, ASD siguron depozitat bankare deri në shumën e 2.5 milionë lekëve dhe depozitat në shoqëritë e kursim-kreditit deri në shumën e 2 milionë lekëve.
Direktiva e Bashkimit Europian 49/2014 kërkon që vlera e sigurimit të depozitave bankare në vendet anëtare të jetë të paktën 100 mijë euro dhe projektligji i propozuar nga ASD-ja është në funksion të përafrimit të plotë të legjislacionit.
Projektligji i përgatitur nga ASD-ja parashikon që niveli i mbulimit, në rast të një ngjarje sigurimi do të jetë deri në gjashtë milionë lekë për depozitat e agreguara të çdo depozituesi në një institucion kreditit anëtar të skemës dhe deri në dy milionë lekë për depozitat e agreguara të çdo depozituesi në një Shoqëri Kursim-Krediti (SHKK) anëtare të skemës. Kufiri i sigurimit të depozitave në SHKK-të ngelet i njëjtë me atë të parashikuar në ligjin ekzistues.
Një risi e projektligjit është edhe kompensimi i depozitave me balancë të përkohshme deri në kufirin e 15 milionë lekëve, nëse fondet janë transferuar në llogari, ose nga momenti kur janë bërë ligjërisht të transferueshme, gjatë një periudhe jo më shumë se gjashtë muaj përpara datës së ngjarjes së sigurimit.
Depozitat me balancë të përkohshme janë depozitat të cilat burojnë nga transaksionet për pasuri të paluajtshme për banim, me kusht që depozituesi individ të paraqesë dokumentacionin që vërteton këto transaksione; nga përfitimet sociale të përcaktuara në legjislacionin në lidhje me ngjarje të tilla si martesa, divorci, pensioni, pushimi nga puna, largimi nga puna, lindja, paaftësia, trashëgimia ose vdekja, me kusht që depozituesi individ të paraqesë dokumentacionin që vërteton këto ngjarje dhe të drejtën e përfitimit të miratuar nga institucioni përkatës; nga përfitimet e sigurimit dhe risigurimit, me kusht që depozituesi individ të dorëzojë dokumentacionin nga shoqëritë e sigurimit dhe risigurimit që vërtetojnë këto përfitime; nga dëmshpërblimi i marrë për shkak të dënimeve të padrejta penale, me kusht që depozituesi individ të paraqesë vendimin përkatës gjyqësor.
Shuma e kompensimit për depozitat me balancë të përkohshme nuk agregohet me shumën e kompensimit të depozituesit përfitues, në rast ngjarje sigurimi.
Projektligji i ri sjell një risi të rëndësishme edhe për bankat pjesëmarrëse të skemës. Kontributi i tyre nuk do të llogaritet më me bazë uniforme fikse, siç ndodh me ligjin aktual, por do të jetë i ndryshueshëm, në bazë të profilit të rrezikut.
Projektligji parashikon se institucionet e kreditit anëtare të skemës paguajnë kontributet vjetore të primit të bazuar në rrezik, të llogaritura në përpjesëtim me shumën e depozitave të siguruara të mbajtura në çdo institucion të kreditit anëtar, dhe me shkallën e rrezikut të marrë përsipër nga secili institucion i kreditit anëtar i skemës.
Me propozimin e Këshillit Drejtues të ASD-së, Banka e Shqipërisë do të miratojë metodologjinë për llogaritjen e kontributeve vjetore të primeve të bazuara në rrezik për institucionet e kreditit anëtare të skemës. ASD-ja duhet të vlerësojë të paktën një herë në pesë vjet, nëse kjo metodologji do të ketë nevojë për rishikim.
Këshilli Drejtues i ASD-së do të miratojë nivelin e synuar të fondit të sigurimit të depozitave në institucionet e kreditit dhe afatin për arritjen e tij. Megjithatë, ligji parashikon që niveli i synuar i fondit të sigurimit të depozitave në institucionet e kreditit, në çdo rast, nuk duhet të jetë më pak se 0.8% e shumës së depozitave të siguruara në institucionet e kreditit anëtare të skemës.
Marrë nga Monitor