Blerim Buci, 41 vjeç dhe Besmir Buci, 32 vjeç dy vëllezër shqiptarë, me precedentë penalë në Greqi, janë arrestuar si autorë të dyshuar të shpërthimit me eksploziv të diskotekës “Jacky.O” në rrugën Michalakopoulou të Athinës, mbrëmjen e 7 tetorit 2025. Sipas mediave greke, për vëllezërit nga Tirana, përveç akuzës për shpërthimin me eksploziv, ndaj tyre ishte një urdhër arresti aktiv për grabitje, si dhe shkelje të ligjeve mbi armët.
Në njoftimin zyrtar të policisë helene, njoftohet se 32-vjeçari Besmir Buci, pasi parkoi një automjet pranë diskotekës, iu afrua objektit në këmbë dhe më pas vendosi pajisjen shpërthyese të improvizuar. Më pas, ai hipi përsëri në automjet, ku vëllai i tij, 41-vjeçar Blerim Buci, po e priste për tu larguar së bashku. Automjeti i përdorur për kryerjen e krimit ishte siguruar atyre nga bashkëpunëtori i tyre, një 44-vjeçar grek.
Gjatë kontrolleve, u gjetën dhe u sekuestruan, një thikë palosëse, 8 telefona celularë, një pajisje telekomandimi me ekran, 2 fletore me shënime, veshje të përdorura gjatë shpërthimit, si dhe automjeti i si mjet për kryerjen e aktit. Sipas hetimit të policisë, bomba ishte një mesazh paralajmërues. Autorët kërkuan para për ofrimin e mbrojtjes së paligjshme, por refuzimi kategorik i pronarit për t’iu nënshtruar shantazhit çoi në hakmarrje. 41-vjeçari Blerim Buci, u gjet në një zonë të pazbuluar në natyrë, ku po përpiqej të fshihej
Marrë nga Dosja.al