Avokati Altin Goxhaj ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke e akuzuar për shpërdorim detyre dhe përndjekje të paligjshme të qytetarëve që, sipas tij, janë kundërshtarë të establishmentit politik.
Në kallëzim, Goxhaj i referohet deklaratës publike të bërë nga Hita më 9 korrik, ku u njoftua se Policia kishte identifikuar mbi 10 mijë llogari në rrjetet sociale, të cilat dyshohej se kishin publikuar vlerësime (review) negative ndaj bizneseve shqiptare. Sipas Goxhajt, në asnjë moment nuk është bërë publik procedimi penal konkret, baza ligjore apo dispozita e Kodit Penal mbi të cilën është mbështetur ky veprim.
Sipas kallëzimit, ekzistojnë dyshime se Policia ka tejkaluar kompetencat e saj duke identifikuar dhe analizuar në mënyrë masive përdoruesit e rrjeteve sociale pa një bazë të qartë ligjore. Ai kërkon që SPAK të verifikojë nëse këto veprime janë kryer në përputhje me ligjin apo kanë cenuar të drejtat kushtetuese të qytetarëve.
Goxhaj ngre gjithashtu dyshime për mbledhje të paligjshme të të dhënave personale, duke kërkuar të verifikohet se me çfarë mjetesh janë identifikuar llogaritë, nëse janë kërkuar të dhëna nga platformat digjitale apo operatorët e komunikimeve elektronike dhe nëse janë respektuar procedurat ligjore.
Në dokument thuhet gjithashtu se Agjencia e Inteligjencës Financiare, në udhëzimet e saj për zbatimin e nenit 143/b të Kodit Penal, nuk e konsideron publikimin e review-ve negative apo thirrjet për bojkot ekonomik si pjesë të mashtrimit kompjuterik. Sipas Goxhajt, kjo ngre pikëpyetje mbi bazën ligjore të deklaratave të Policisë.
Marrë nga Maska.al