Derbi i parë i Madridit i shkon Çolo Simeones, me Atletico-n që triumfon 2-1 përballë Realit. Në provën e parë të vërtetë, Jose Mourinho dhe të besuarit e tij zhgënjejnë, me Realin që e sheh veten të shkëputur me 5 pikë pas vetëm 7 javësh në La Liga. Në “Metropolitano”, pjesa e parë ishte zhgënjyese, me shumë faulle, kartonë dhe pak raste për shënim, por tabloja e këtij derbi ndryshoi totalisht në fraksionin e dytë, pas minutës së 50-të, ku Real Madrid mbeti me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Huijsen, me këtë të fundit që shkaktoi faull ndaj Giuliano Simeones.
Gjashtë minuta më pas, Giuliano Simeone ishte sërish protagonist, këtë herë duke dhuruar një assist të pastër për Jonathan David, me këtë të fundit që e kishte të lehtë të shtynte topin në rrjetë duke dyfishuar shifrat. Reali u përpoq të rikthehej në lojë, por goli erdhi vonë në minutën e 89-të me Rudiger që ngushtoi shifrat në 2-1 pas një goditje të saktë me kokë gjatë zhvillimeve të një goditje dënimi. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Atletico-n që feston për këtë sukses në derbi që i vendos në vendin e dytë në La Liga, -5 pikë nga Barcelona kryesuese.
Derbi i Madridit mori faqet e para të mediat spanjolle: Atletico argëtohet, shpërthen Mourinho, shkruan MARCA në faqen e parë. “Atletico e madhe, ndizet zjarri ndaj arbitrave”, shkruan AS duke iu referuar polemikave dhe akuzave të Mourinhos në konferencë për shtyp.
Marrë nga Balkanweb.com