Deputeti socialist Arbjan Mazniku ka sjellë në Kuvend një formulë të re të pasurimit të shqiptarëve, sa më shumë bie euro, aq më të pasur bëhen qytetarët. Gjatë mbledhjes së Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ai deklaroi se forcimi i lekut ka rritur fuqinë blerëse të shqiptarëve.
“Fuqizimi i lekut është një pasurim i qytetarëve shqiptarë. Se një shqiptar i cili merr rrogë 90 mijë lekë, ka më shumë lekë në raport me çfarë ndodh në Evropë. Sot, në raport me kur krahasohej me euron që ishte 140 lekë, ishte më i varfër seç është sot”, deklaroi Mazniku, duke shtuar se edhe produktet e importuara blihen më lirë.
Por në këtë teori optimiste, deputeti duket se ka harruar një detaj të rëndësishëm, shqiptarët nuk i paguajnë faturat me kursin e këmbimit, por me paratë që u mbeten në xhep. Një pagë prej 90 mijë lekësh mbetet e njëjtë, ndërkohë që rritja e çmimeve të ushqimeve, shërbimeve dhe kostos së jetesës mund ta gërryejë fuqinë reale blerëse.
Mazniku ka lënë jashtë edhe familjet shqiptare që mbështeten te paratë e emigrantëve. Për këto familje, një euro që dikur këmbehej me 140 lekë, sot këmbehet me rreth 90 lekë. Kjo do të thotë se për çdo 1.000 euro të dërguara nga emigracioni, familjarët marrin rreth 50 mijë lekë më pak se dikur. Pra, ndërsa Mazniku flet për pasurim, këto familje përballen me humbje të konsiderueshme nga kursi i këmbimit.
Në fund, forcimi i lekut mund t’i bëjë importet më të lira, por kjo nuk do të thotë automatikisht se shqiptarët janë bërë më të pasur.
Sepse, nëse çmimet rriten, euro zhvlerësohet dhe qytetarëve nuk u mbeten më shumë para në fund të muajit, pasurimi i Maznikut mbetet më shumë një llogari në letër sesa një realitet në xhepat e shqiptarëve.