Kompania metalurgjike Kurum ka humbur lejen mjedisore të tipit A, të cilën e dispononte prej shtatorit të vitit 2016. Sipas informacioneve paraprake, urdhri për shfuqizimin e lejes është firmosur më 3 nëntor 2026 nga ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj. Vendimi vjen në një kohë kur kompania është nën hetim për çështjen e 2,800 tonëve mbetje të rrezikshme, të cilat u kthyen nga Tajlanda.
Hetimet po zhvillohen për të zbardhur përgjegjësitë lidhur me trajtimin dhe eksportimin e mbetjeve, si dhe shkeljet e dyshuara të legjislacionit mjedisor. Në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria e Durrësit ka lëshuar 33 urdhër-arreste për personat e dyshuar si përgjegjës. Nga hetimet janë evidentuar dyshime për shkelje jo vetëm nga Kurum, por edhe nga kompania ‘Sokolaj’, e cila kishte blerë mbetjet, si dhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Dogana e Durrësit. Sakaq, Kurum është një nga operatorët kryesorë të industrisë metalurgjike në Shqipëri.
Skandali i mbetjeve të rrezikshme të Kurum lidhet me eksportimin e 102 kontejnerëve me rreth 2,800 tonë mbetje industriale nga Shqipëria drejt Tajlandës, në korrik 2024. Ngarkesa ishte deklaruar si oksid hekuri, por analizat laboratorike zbuluan se bëhej fjalë për pluhur toksik të krijuar nga filtrat e furrave elektrike të prodhimit të çelikut. Pasi autoritetet tajlandeze refuzuan ta pranonin, kontejnerët u kthyen në Shqipëri dhe u sekuestruan në Portin e Durrësit.
Prokuroria e Durrësit nisi hetimet për kompaninë Kurum, ndërmjetësit e eksportit dhe punonjës të institucioneve shtetërore, duke kërkuar masa sigurie për 33 persona në shkurt 2026. Hetimi përfshin dyshime për kontrabandë, transport të mbetjeve toksike, falsifikim dokumentesh dhe shkelje të procedurave mjedisore. Në mars 2026, mbetjet nisën të zhvendoseshin nga Porto Romano drejt zonës së Vrinës. Ndërkohë, në nëntor 2026, Ministria e Mjedisit revokoi lejen mjedisore të Kurum për aktivitetin metalurgjik në Bradashesh të Elbasanit.
Marrë nga Dosja.al